Klajdi Prendi, i riu që u ekzekutua me armë zjarri me silenciator në Tiranë është djali i ish-gjyqtarit, Fran Prendi.
Por si ndodhi krimi i rëndë?
Në zonën e Xhamllikut, pak pas mesnate (19 nëntor) autorë ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri me silenciator në drejtim të të riut, Klajdi Prendi.
Mësohet se 28-vjeçari është mbajtur nën vëzhgim dhe monitorim nga autorët, të cilët kanë pritur momentin kur 28-vjeçari është futur në automjetin e tij G-Class.
Sapo viktima është futur në makinë e kanë qëlluar me armë zjarri me silenciator. Drejt tij është qëlluar me 5 plumba.
28-vjeçari Prendi u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën, por si pasojë e plagëve të marra ai ka ndërruar jetë.
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset dhe objektet pranë vendit të ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Rreth 1 orë pas ngjarjes, një automjet me targa të huaja u gjet i djegur në zonën e Farkës. Dyshohet se makina i përket autorëve të atentatit ndaj 28-vjeçarit.
Ndërkohë policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e rrethanave të këtij atentati si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.