Pas 15 vjetëve që nga një prej atentateve që kanë tronditur vendin, policia dje njoftoi se ka shpallur në kërkim një prej personave të dyshuar që ka marrë pjesë në atë ngjarje.
Quhet Gëzim Balla dhe është nga Elbasani. Emri i tij nuk është listuar më herët mes të dyshuarve, kur dihet që të arrestuar për vrasjen e ish-oficerit të policisë, Roland Rexhepi, janë 4 persona në pranga. Policia nuk bën me dije se cili është roli i 50-vjeçarit në atë ekzekutim mafioz, që u duk që hapi serinë e një përgjakjeje të pafre në Elbasan e jo vetëm.
VRASJA E REXHEPIT
Ekzekutimi i ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi, u realizua orëve të para të 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë.
Krahasimi i tyre ka bërë të mundur zbardhjen e identiteteve të autorëve, edhe pse dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.
Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit. Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë dukej një person që largohet duke çaluar, pasi u tha më vonë se ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më pas.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co