U shua Gëzim Çela/ Dëshmoi revoltën e Spaçit, amaneti i të burgosurit: Kujtohuni për ne!

u shua gezim cela deshmoi revolten e spacit amaneti i te burgosurit kujtohuni per ne



































gezim cela

Autoriteti për Informim mbi Dokumente e Ish Sigurimit të Shtetit lajmëroi dje largimin nga jeta të ish-të dënuarit politik Gëzim Çela, një nga pjesëmarrësit e revoltës së Spaçit më 21- 23 maj 1973.

Në botimin e AIDSSH-së me 30 dëshmi të të mbijetuarve të burgut të Spaçit dhe me dokumente nga fondet e arkivës hidhet dritë një nga ngjarjet më emblematike të diktaturës, siç është revolta e të burgosurve politikë në kampin-burg të Spaçit, 21-23 maj 1973, është sjell dëshmia Gëzim Çelës. Ai është njëri nga 2000 njerëzit që u lënduan përjetësisht në të.

-Z. Çela si ishte përballja me leximin e dokumenteve që Ish-Sigurimi i Shtetit ka krijuar për ju? A mendoni se ishin raportet e bashkëpunëtorëve, finalizimi i arrestimit tuaj?

Unë kam qenë me “biografi të keqe”, siç quheshim atëherë, kështu që e dija, priteshin këto të gjitha. Pasi mbarova shkollën fillore, më doli bursa pedagogjike për në Shkodër dhe pas tre-katër muajve më përjashtuan. E kam ende edhe dokumentin që ma treguan pse më ndërpritej bursa. Një nëpunës i vjetër shkodran ma nxori atë, firmosur nga Karehman Ylli, ministri, e në të shkruhej: “Konviktorit Gëzim Çela i pritet bursa, për arsye se nuk i plotëson konditat që i duhen një konviktori”. Mbeta poshtë e përpjetë, andej-këndej gjersa erdha këtu, në Durrës. Zura një dhomë, se nëna ime ishte mami në Durrës dhe mbarova gjimnazin, kurse për punë as bëhej fjalë. Desha të punoja si arsimtar në Lushnjë, por as atje nuk më pranuan. Kështu, m’u mbush mendja për të ikur.

-Para se të niseshit për t’u arratisur, a ndjenit përndjekjen?

Nuk e di, por fakti që nuk më jepnin asnjë punë. Puna ishte mundësia për të jetuar. Ishte e natyrshme që ne ishim të rrethuar nga lufta e klasave, se unë i përkisja asaj klase tek e cila këta kërkonin pretekstin më të vogël. Ata jetonin pikërisht me luftën e klasave dhe kështu që kudo isha i ndjekur dhe i luftuar. Natyrshëm, më shkoi mendja për të ikur. Kisha një shok nga Shkodra, që më kishte thënë se babai i tij e njihte mirë kufirin, se vente e vinte andej, ngaqë merrej me punë tregtie. E takova dhe vendosëm. Një ditë prej ditësh, shkuam në Koplik, prej aty në Bajzë, ku na priste i ati i tij. Atje iu nisëm malit përpjetë, drejt kufirit. Ishte natë dhe u hasëm me rojet. Na dëgjuan dhe bërtitën: “Ndal!” Ndërkaq babai i shokut tim, u tha atyre: “Jo, se jemi tanët”. Mirëpo kur ky tha “Jemi tanët”, i biri, Luigji, që ishte para rojeve iku me vrap. Edhe unë mbas tij. Kërciti automatiku. Qëlluan natën nëpër errësirë. Shpëtuam kot fare. Si duket, plumbat kapën babain e Luigjit. Ikëm e u fshehëm diku në një kodër dhe po prisnim të gdhihej. Më pas e rrethuan vendin, na arrestuan dhe na dërguan në hetuesi, në Shkodër. Më pas, morëm vesh që ushtarit i ishte bllokuar arma. Shyqyr që nuk i shkrepi më. I vrarë mbeti vetëm babai i shokut tim. Filluam burgun e parë me akuzën “tentativë për arratisje”.

-Pas arrestimit, ku ju dërguan?

Pas arrestimit, filloi hetuesia në Shkodër dhe më dhanë dënimin. Nuk kishte filluar akoma policia. Na çuan në hetuesinë e Shkodrës. Ajo zgjati tetë muaj. Ishim para faktit të kryer. Ishim kapur në kufi “tentativë arratisjeje”, por për fat, u bë amnistia dhe nga 14 vite u ul dënimi në 12. Presionet i kishin të zakonshme, por ndonjë gjë të jashtëzakonshme nuk kam provuar. Na hodhën direkt në çimento edhe ato të zakonshmet… Një copë bukë sa për të jetuar. Kisha dy avokatë, që i kishte marrë nëna ime, por njëri lejohej. Gjatë gjyqit ishte e pranishme dhe nëna, edhe pse nuk e shihja. Nëna ime ishte mami në Lushnjë, e nderuar, e respektuar, e njihnin si nënë Roza dhe atë e lanë atje si mami. Kur mbarova hetuesinë, më çuan në Rinas.

-Me çfarë ju transportuan dhe a ju kishin lidhur?

Të lidhur me zinxhirë këmbë edhe duar, më morën me GAZin e burgut dhe më dërguan në Rinas, në kamp. Aty na priti komanda e Rinasit. Aty ishte edhe Isuf Vrioni. Punoja me çimento, me beton, me lopata, me vagonë. Kam bërë edhe disa piktura për të burgosurit, duke shtyrë vagonët. Në kamp u përballëm me punë, por unë kam qenë fizikisht shumë i fortë dhe realizoja më tepër se një normë. Aeroportin e Rinasit e kemi ndërtuar ne. Madje, mendoj që aty në Rinas duhet të jetë një pllakë përkujtimoreje që t’u kujtojë të gjithëve që kalojnë në pistë dhe hipin në aeroplan, se aty ku po shkelin është derdhur gjaku edhe djersa e të burgosurve politikë. Të gjithë pistën e kemi bërë ne, të burgosurit.

-Si ishte një ditë pune në kampin e Rinasit?

Si në të gjitha kampet e tjera. Por e vështirë ishte kohëzgjatja në punë dhe më e keqja e të këqijave ishte që nuk të lejonin të futeshe në kapanon para orës gjashtë të darkës. Kishte shumë pleq aty. Ata vinin me jorgan e me batanije në kurriz dhe prisnin që të hapej dera për të hyrë në kapanon, se nuk na linin të hynim pa shkuar ora gjashtë. Imagjino, nëpër oborr gjithë ai i ftohtë. Aty te fusha vendosëm të bënim një ndeshje futbolli, të rinjtë me veteranët. Në mes të natës, më thërrasin të zbres poshtë. Kishin komentuar kundër nesh. Neve nuk na kishte shkuar mendja, por meqë unë e kisha bërë vizatimin e shpalljes, më thirrën dhe më futën në birucë, në çimento. Erdhi komandanti i kampit dhe më transferuan në Thumanë, në hapje kanali. Kam punuar nëpër kanale nja gjashtë-shtatë vjet, gjersa u bë amnistia dhe u lirova. Mbaj mend që dëgjova lajmin për vrasjen e Kenedit. U emocionova, vërtet. Kur erdhi për të më takuar, i thonë nënës sime: “Çuni yt, ka qarë për Kenedin, po burri në Amerikë, a ka qarë për Kenedin?”. Kundërshtova, megjithatë më futën në birucë një muaj, vetëm pse qava.

-A ushtronin dhunë në kampet e punës, nëse nuk e bënit normën?

Unë kam qenë fizikisht shumë mirë, se isha i ri dhe bëja më tepër se norma, por ata që nuk e bënin normën, sigurisht, ndëshkoheshin me birucë. Nga kampi i Rinasit shkova në Thumanë, ku bëra tetë vite, pastaj në Laç e që aty u lirova. Erdha në Tiranë ku kisha shtëpinë time. Duhet të bëja pasaportizimin, mirëpo nuk ma bënin. Një herë në muaj vinte polici, më merrte, më çonte te stacioni i trenit dhe më thoshte: “Ik nga Tirana. -E ku të shkoj? – i pyesja. – Shko ku të duash!”. Unë shkoja prapë me kërkesë, pas katër a pesë ditësh. Kjo punë gati një a dy vjet. Çështja ishte që një komshi, që punon te diku në ministri, ia kishte vënë syrin shtëpisë sonë dhe më pas, për të na hequr qafe mua edhe nënës, na çuan në internim. Fillimisht, më çuan në minierë në Manëz, ku ishte drejtor Skënder Xhuglini, vëllai i Nexhmies. Kur shkova atje, pasi më pyetën e u thashë se isha piktor dhe dija t’i bija edhe kitarës, më quajtën “artist”. Më caktuan me bojëra dhe nisa duke lyer e zbukuruar me piktura dhe u bë miniera e Manzës aq e bukur, saqë erdhën nga Tirana ta nxirrnin në televizor.

-Cila ishte arsyeja që ju arrestuan për herë të dytë?

Për herë të dytë u arrestova në vitin 1971, me akuzën “për agjitacion-propagandë”. Gjatë kohës në minierën e Manzës isha disi i privilegjuar si piktor. Vjen një F.A, një djalë i ri, që e kisha ndihmuar kur ishte i internuar me gjithë të ëmën dhe më thotë të bëja kujdes, se e kishin sjellë kastile për mua, se donin të më fusnin në burg. Pas disa kohësh arrestuan atë, sepse nuk u kishte treguar gjë. Më pas, me detyrim e nxorën si dëshmitar në gjyq kundër meje.

-A kishit avokat në hetuesinë e dytë?

Gjatë kohës së hetuesisë së dytë nuk kisha më avokat, por si dëshmitar sollën edhe një nga Korça, me të cilin kisha punuar duke lyer shtyllat e tensionit të lartë kur dola nga burgu. Por ai më mbronte dhe përfundimisht tha që Gëzimi kishte një radio dore edhe dëgjonte lajmet italisht. Dëshmia e tij nuk i shërbente akuzës. Trupi gjykues vendosi që të shtyhej gjykimi, se me ato fakte, njëherë për njëherë nuk mund të jepte dënim. Më kthyen sërish në birucë. Aty kishin futur një ushtar, duke menduar që mua do të më jepej dënimi atë ditë, mirëpo gjykata vendosi të shtyhej gjykimi. Ky ushtari që kishin sjellë në birucë, më thotë: “Ama ky gjyqi yt u bë si gjyqi i Hagës. Të kishe pranuar, do të të kishin dënuar me minimumin. S’ke pranuar, do të të dënojnë me maksimumin”. Në herën tjetër të gjykimit vjen një dëshmitar që e kishin mësuar të thoshte që ne donim të arratiseshim. Nga dhjetë vjet që kërkonte prokurori, m’i çuan tetë vjet, m’i falën dy vjet. Kështu më dënuan tetë vjet.

-A ishte nëna juaj e pranishme në gjyq?

Po, ishte dhe thoshte “Bir, mos bërtit!”, se unë ngrija zërin, kisha marrë një superxhiro dhe ulërija: “Poshtë dëshmitarët e sajuar”, se më kishin sajuar dëshmitarë e histori të paqena, një nga një. Për këtë arsye u prish seanca gjyqësore dhe trupi gjykues vendosi shtyrjen. Përfundimisht, më dënuan tetë vjet.

-Më pas ju dërguan në Spaç. Si ishte ballafaqimi me atë mjedis?

Ambienti ishte malor. Ishte me të vërtetë tmerr, sepse burgu është në një grykë midis dy maleve, ku dielli duket një-dy orë dhe e kap mali tjetër. Kaq ishte dita. Puna ishte shumë e vështirë, por unë si i ri, fizikisht i fuqishëm, munda ta përballoja punën si minator. Unë si minator shkoja tok me dy punëtorë që kishin dy vagonë që unë me lopatë duhet t’i ngarkoja me mineral, 3 vagonë ose 4 vagonë. Nëse vagoni rrëzohej, duhej ta ringarkoja. Ishte punë e vështirë, ishte vapë, shto edhe të gjitha sikletet e minatorit. Megjithatë, e përballoja mirë.

-Po ushqimi si ishte? A ju dilte?

Ushqimi ishte barishte dhe grosh. Kur kishte groshë, ishte festë e madhe, se më shumë kishin barishte…

-Si mendoni, cila ishte arsyeja që filloi revolta?

Ne punonim në galeri gjatë gjithë javës, ditën e diel e kishim pushim, por si duket ndërmarrja nga ku vareshim, nuk kishte realizuar planin, prandaj vendosën që të na nxirrnin në punë edhe ditën e diel. Ne vendosëm që ditën e diel të mos dilnim në punë. Kjo qe arsyeja e parë e revoltës.

-A u mblodhët të gjithë bashkë dhe e diskutuat paraprakisht me njëri-tjetrin që nuk do të dilnit në punë? Si u organizuat?

Shokët me njëri-tjetrin, duke bërë muhabet, kështu e vendosëm. Nuk do të dilnim në punë. Kishim disa ditë që e diskutonim, sepse shkonim edhe të dielën në punë. Ishte e tepërt. Kështu që vendosëm. Atë ditë ishin rreshtuar një pjesë e të burgosurve. Pal Zefi e kishte plotësuar muajin e birucës dhe hap derën e birucës dhe doli. U turrën policët ta kapin. Ne të burgosurit, instinktivisht, u hymë në mes, filluam edhe me ndonjë grusht. Oficer roje ishte Fevzi Liço. Atij i ra kapela në tokë, madje iu shkel edhe ylli i kapelës. Në atë kohë po kthehej edhe turni i dytë. Disa të burgosur arritën të dalin nga biruca. Ushtari që ishte lart zuri të qëllonte me automatik. Ata të turnit të dytë, kur dëgjuan automatikun, menduan se diçka po ndodhte. Ikën pa u numëruar, pa u rreshtuar, hynë brenda në kamp. Atëherë edhe ne të burgosurit vendosëm që të mos lëmë në biruca ata që kishin mbetur atje, vrapuam t’i lirojmë dhe t’i hiqnin nga duart e policëve. Plasi rrëmuja. Atëherë e kuptoi edhe policia edhe komanda që nuk ishte më punë për ata. Situatën e kishin marrë në duar të burgosurit. Ikën e nuk erdhën më. Sollën policët e Rrëshenit. Ishin më të fuqishëm. Ushtria rrethoi të gjithë Spaçin. E gjithë kodra, majtas-djathtas ishte me ushtarë me automatikë. Mbërriti edhe Feçor Shehu. Midis parullave ishte edhe një parullë kundër punës në galeri. Këta mendonin se mos kishte ndonjë arsye tjetër. Faktikisht, dolën probleme politike. Atë ditë u ngrit edhe flamuri, shyqyr, si monument kulture në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Bedri Çoku me gjithë një tjetër morën një shokun tim dhe ai me bojë këpucësh në një beze të kuqe, pikturoi shqiponjën dhe e ngritën flamurin pa yll. Vunë edhe roje atje. Ato tri ditë kampi ka qenë i rrethuar. As bukë s’kishim, natyrisht na prenë edhe ujin dhe ne mbetëm pa asnjë gjë…

-Tri ditë ishit pa bukë e pa ujë?

Po, pa bukë, pa ujë komplet. Ishte e natyrshme se kampi ishte i rrethuar gjithandej. Prandaj u vendos që do të dorëzoheshim. Më kujtohet Skënder Daja, gjatë kohës së revoltës bërtiste: “Oh, nane, na keni lidhur me zinxhira”. Iu kthye ushtarëve: “O ushtarë, edhe unë si ju kam qenë. Edhe ju do të vini këtu, prandaj bëhuni me ne! Poshtë komunizmi! Na keni veshur nënat me të zeza”! Këto ishin parullat: “Poshtë komunizmi!”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Këto ulërinin dhe bërtisnin të burgosurit. Skënder Daja kishte hipur në tarracë, kishte marrë kitarën që unë e kisha kujtim nga Vaçe Zela dhe më thoshte: “Gëzim, s’duhet të dorëzohemi, se po të dorëzohemi, do të na pushkatojnë të gjithëve…”. Në ditën e tretë, me ndërhyrjen e policëve, na kapën. Kërciste huri me të burgosurit. Na lidhën e na vunë në rresht. Po lexonin emrat e të gjithë atyre që ishin rreshtuar dhe të atyre që do të riarrestoheshin. Kur dëgjova emrin tim, m’u kujtua ai gjesti i romakëve në ndeshjet me gladiatorë, që kur e kthenin gishtin e madh poshtë, duhej vrarë. Më vunë hekurat, zinxhirët, na ngarkuan në kamionë edhe na dërguan në Tiranë, më futën në një birucë dhe filloi hetuesia tjetër. Atë ditë që kishte filluar revolta, më datë 21 maj, nëna ime që ishte e moshuar, kishte ardhur të më takonte, por nuk e lanë. Unë kisha edhe katër vjet dënim dhe mendoja si t’i shtyja edhe këto katër vite dhe ishallah e gjeja gjallë. Kur ndodhi revolta e Spaçit dhe u pushkatuan disa vetë, ajo e kishte marrë vesh edhe u nis e shkoi drejt e në Spaç, por Spaçi ishte rrethuar. E pyetën se ç’kërkonte atje dhe ajo pyeti për mua. I thanë që s’isha atje, por në Tiranë. Shkoi në Tiranë, pyeti, i thanë: “Jo, nuk është këtu. – Po ku është? – Në Rrëshen”. Nga Tirana, shkoi në Rrëshen. Edhe aty i thanë: “Jo, nuk është këtu.” Ah, e shkreta zuri të ulërinte nëpër rrugët e Rrëshenit: “E paskan pushkatuar djalin”. Unë isha i lidhur në një birucë në Rrëshen edhe sikur e dëgjoj. Dëgjova një zë që ulërinte, një zë gruaje rrugës edhe mu duk si zëri i nënës sime. I them një shokut tim atje, në birucë kështu, kështu kam dëgjuar një zë. “Jo, mo, jo. Nuk kam dëgjuar gjë – tha ai”. Instinktivisht dëgjova që dikush pyeste përgjegjësin e birucave dhe ai erdhi na pyeti: – Kush është Gëzim Çela, këtu? – Unë, – thashë menjëherë. – A, mirë, – tha ai. Pas pak më solli një pako, ishte nga nëna. Kur ia pranuan pakon, atëherë ajo mendoi: “Qenka gjallë, paska shpëtuar”!

Operativët kishin gjetur disa dëshmitarë, ca spiunë që i përdornin për këto punë dhe kështu më dënuan katërmbëdhjetë vjet, por u bë amnisti dhe m’u bënë dymbëdhjetë vjet. Në vitin 1984 dola.

-Pasi ju ridënuan dhe u rikthyet në Spaç, si ishte jeta pas revoltës?

Kur u kthyem në Spaç, ishte dyfishuar kontrolli i sigurisë dhe ndëshkimet. Edhe për gjënë më të vogël të futnin në birucë. I kam provuar disa herë birucat. Jeta në kamp u vështirësua shumë.

-A kishte mes jush njerëz që ju spiunonin?

Po, patjetër, por unë si natyrë nuk përzihem me njeri. Ishte e natyrshme që nuk duhet të kishe besim te njeri. Më kujtohet rasti kur sollën njërin, një piktor i mirë dhe njiheshim përmes Sali Shijakut. Një ditë, mes bisedash, më tha: “Gëzim, do të vras veten. Nuk mbrohem dot më”. Përgjegjësin e zyrës teknike e njihja dhe iu luta atij nëse i gjente ndonjë vend pune këtij piktorit, meqë ishte në gjendje të rëndë e donte të vriste veten. E rregulluan të bënte parullat. Më pas, për ca kohë, punuam të dy për të rregulluar fjetoret e ushtarëve. Një ditë, më thotë komandanti i kampit, një burrë i mirë, që ky piktori kishte bërë raporte kundër meje. Unë i shpëtova jetën, ai bënte raport kundër meje! Prandaj në kamp nuk duhet t’i besoje asnjë njeriu.

-A keni vuajtur dënime të tjera, pas Spaçit? Si ju ndjetë kur fituat lirinë?

Jo! Më 1984 jam liruar dhe erdha në minierën e Manzës, se atje isha internuar. Më kishin dhënë një dhomë. Më liruan edhe një dhomë tjetër dhe mora edhe nënën. Në minierë punoja. Ditën që vdiq diktatori, kam qenë në punë dhe dëgjova njërin aty që tha: “Vdiq Enver Hoxha”. O Zot, o Perëndi! E pyesja veten: “Ka vdekur, vërtet?”. Më në fund isha bashkë me nënën. Isha në minierë, por kisha një si shtëpi, domethënë një dhomë e kuzhinë, ku mblidhesha me nënën time.

-A ju ka kërkuar ndokush falje për dënimet e padrejta?

E kush të kërkojë falje?! Unë kam qenë edhe ndër themeluesit e Partisë Demokratike në Durrës. Jam marrë me këto punë dhe di që pak a shumë është folur edhe nëpër gazeta, kjo historia e faljeve, por nuk kërkon njeri falje.

-Si ish-i dënuar a keni marrë shtesë pensioni, ndonjë pension të veçantë?

Po, në fakt, kam marrë disa para, se unë kam bërë 21 vjet burg, që ishin pothuaj 120 milionë lekë, kështu që kam marrë një shtëpi të mirë. Babai më vdiq në Amerikë. Ai e kishte marrë vesh që më kishin futur në burg herën e parë dhe ishte mërzitur shumë.

-Ju treguat që kishit një kitarë në burg, dhuratë nga Vaçe Zela. Atë kitarë e ruani edhe sot?

Po, ata që dinin t’i binin mblidheshim te dhoma e kulturës. Kishim një shok nga Fieri, që ishte me mandolinë dhe donte një kitarë. Kur vjen nëna në takim, i kërkova të takonte shokët e mi e të më gjente një kitarë. Unë jam rritur në Lushnjë dhe kisha shumë miqësi me artistët, se kishte artistë shumë të mirë Lushnja. Një herë, dikush takoi Vaçe Zelën dhe kjo e pyeti për mua edhe i thanë që unë po kërkoja një kitarë. Atëherë, Vaçja i kishte thënë se do më jepte kitarën e saj dhe ia kishte dhënë. Atë kohë isha në kampin e Tiranës. Kështu që më erdhi kitara e këngëtares sonë, Vaçe Zelës. Pastaj e mora edhe në Spaç, sigurisht fshehtas. Kjo është historia e kitarës që përmenda. Kur Vaçja shkoi në Zvicër, më ka ftuar dhe i kam shkuar dy herë atje.

A keni ndonjë mesazh lidhur me të gjithë këtë histori të dhimbshme, që përjetoi një pjesë e madhe e popullit tonë?

Shohim se është pak e vështirë për ne shqiptarët të ndërtojmë një demokraci të vërtetë. Me gjithë përpjekjet që bëhen përditë, herë majtas, herë djathtas, kemi mbetur akoma tek ai sistem i vjetër… E para e punës, unë nuk kuptoj përse Spaçin po e shkatërrojnë, që të mos i mbesin as gjurmë. Kam lexuar nëpër gazetat e huaja që edhe vende të tjera si psh., në Gjermani, i kanë ruajtur si vende kujtese, këto kampe. Është në interesin e shtetit tonë që ta bazonim të shkuarën tonë në fakte, dokumente, vende kujtese siç është Spaçi. Burgu i Spaçit është monument që do t’i shërbente historisë së njerëzimit, për të provuar gjithë krimet që kanë ndodhur atje. Më vjen shumë keq sesi po prishet, po shkatërrohet. Monumentet e kulturës që i përkasin sistemit të vuajtjes së njerëzve në sistemin komunist, siç janë kampet e përqendrimit, burgjet, duhet të ruhen edhe të shërbejnë për të kujtuar atë që ka ngjarë.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →