“U vra sepse nuk mori pas Enver Hoxhën”- Misteri i ekzekutimit të komandantit të “Çetës Plakë” të Vlorës: Për ‘Vangjon’, thonë se…

u vra sepse nuk mori pas enver hoxhen misteri i ekzekutimit te komandantit te cetes plake te vlores per vangjon thone se





































vangjoËshtë shkruar një libër, “Pse e vranë Odisenë”, nga Anastas Kondo. Duke e lexuar gjeta disa paralele mes vrasjes së Odiseas dhe të Neki Ymerit. Kush e vrau Odisenë, e pyesin nënë Katerën (Katërina), plakën vunoqote, vjershëtore e historiane e madhe. “Të vetët- ishte përgjigjja- Spiromilajt, të lidhur me greko-madhin. Ç’piet kush e vrau? Kush urdhëroi, thoi, jo kush e vrau”?! Edhe Neki Ymerin të vetët e vranë, të lidhur me serbomëdhenjtë, ata që e ideuan. Ku e vranë Odisenë? “Në përrua të Bishës, në pritë, fshehur, prapa krahëve, në të pabesë, në një diell përvëlues”. Edhe Nekinë në pritë, në Përroin e Ujkut (“Urë e Zonjës”), në 27 gusht 1943, në një situatë të nxehtë, sinoptike e politike.

Sa vjeç ishte Odisea? “Ç’piet? Njëzetë, i kish a s’i kish, a pak më tej”. Edhe Neki Ymeri, 24, për 25 vjeç ishte. Ç’kishte bërë Odisea? “Kishte prurë vivëlla (libra), në gji”. Edhe Nekiu luftonte të binte lirinë, që e kishte në gji, në zemër. Ndërsa më tej paralelja prishet.

Autori thotë: “E pashë fotografinë e Odisesë në muzeun e fshatit, me shokët rresht, të gjithë të bukur”. Ndërsa unë, nuk e pashë ndonjëherë Neki Ymerin, në muzeun e fshatit tim, as të shokëve e tij, njëri më i bukur se tjetri!

U bënë edhe përvjetorë për “Çetën Plakë” të Gjormit, por Neki Ymerin, komandantin legjendar dhe shokët e tij, të gjithë të bukur, nuk i pamë asnjëherë! Kur u bë një përvjetor i Luftës së Gjormit, më 1983, shkova edhe unë në fshatin tim e, dëgjova nja dy orë të mira sekretarin e Parë të Partisë, një jurist, që i ra situatës për qark e, shpesh edhe kodra pas bregut, e një fjalë për Neki Ymerin s’e tha që s’e tha, por edhe për popullin e Gjormit, pak ose aspak tha.

Më parë në Tiranë ishte bërë një sesion shkencor historik, në Shtëpinë e Ushtarakëve, e referuan ata që kishin ngelur pa vrarë nga Lufta Nacional-Çlirimtare e, nga ekzekutimi i 1975-ës, ku u tha: “… terren për t’u formuar ‘Çeta Plakë’ kishte në gjithë Lumin e Vlorës, por u formua në Gjorm, fare rastësisht.

E unë si i ri i arsimuar, por i papjekur, u ngrita e ia këputa: “Edhe për formimin e Partisë sonë, terren kishte gjithandej, por u formua në Tiranë, sepse atje ishte elementi subjektiv”! (njerëzit, kuadrot).

Por pa u thelluar që paralelja do të thoshte se në Tiranë vepronte Enver Hoxha me shokë, e në Gjorm Neki Ymeri me shokë. Një ish-gjeneral nga Lumi i Vlorës, që kishte shpëtuar nga ekzekutimi i 1975-ës, më pyeti: “Nga je ti djalë”? “Nga Gjormi i Vlorës”, – i thashë mbytur. E ai: “Ke të drejtë”!!! Prita dhe ndonjë shufër a kopaçe, por çuditërisht, e gjykuan naivitet rinor timin e, papjekuri e që falej, a mbase se me gjeneralin i kishim fshatrat gjitonë.

Është shkruar për vrasjen e Neki Ymerit “Vangjos”, komandantit të “Çetës Plakë” të Vlorës”, por “kutia e zezë” e tij, ende nuk është gjendur?! Sipas skeptikëve tradicionalë, është vrarë sepse; “nuk mori pas Enver Hoxhën”! Po Nekiu ideal kishte lirinë, atdheun, për atë luftonte, për atë edhe mund të vritej e dëshmor i tij, do të ishte me patjetër. Sipas neoskeptikëve; “u vra sepse u takua me Hysni Lepenicën”.

Po me Hysni Lepenicën u takua edhe Enver Hoxha në Dushkarak dhe i bëri ftesë të bëhej anëtar i Partisë Komuniste. Neki Ymeri, “Vangjo”, ishte komandanti i “Çetës Plakë” të Gjormit (Vlorës) që në formimin e saj, në shtator 1942 e, deri në vrasjen e tij, më 27 gusht të vitit 1943.

Ajo u emërtua “Çeta Plakë” e Gjormit, nga që u formua në Gjorm të Vlorës, me luftëtarë të atij fshati dhe të krahinës për rreth, Mesaplikut, Tragjasit, Vlorës, Mallakastrës. Spektri i veprimtarisë së saj, ishte Qarku Vlorë-Fier-Mallakastër. Por edhe më tej, deri në Pezën e Babë Myslymit.

U vra në orën dhjetë, të 27 gushtit të vitit 1943, në një situatë të nxehtë sinoptike dhe politike, në vendin e quajtur “Ura e Zonjës”, mes Gjormit e Lepenicës, në pritë e befasisht. Ai u vra bashkë me Xhafer Dalanin, nga Gjormi edhe ai, luftëtar i lirisë me pseudonimin “Shpuza”!

Të dy luftëtarë të mëdhenj, njëri komandant e tjetri luftëtar. E për këtë vrasje, Babë Myslymi, që e kishte njohur Nekiun në Pezë, kur kishte shkuar për të koordinuar veprimet për nxjerrjen nga burgu i Fierit, të Sekretarit Politik të Qarkut të Vlorës, Sinan Gjoni, kur do të transferohej për në Tiranë, kishte thënë: “… trim nuk është ai që të vret në pritë, pa të thirr”.

E kjo thënie nuk ishte deshifruar, edhe pse e thënë që në ato ditë kur u vra Nekiu. Baba e pat përsëritur, edhe më vonë, në kujtimet e tij, sikurse e kishte thënë më parë.

Në Gjorm thonë se kur u vra Nekiu, i ati i tij, Ymeri, i mbajti deri sa vdiq duart grusht, si për të përballuar dhimbjen për humbjen e djalit, apo edhe për të thënë në heshtje, sikundër Migjeni: “Oh si nuk kam një grusht të fuqishëm, t’i bie mu në zemër, malit që s’bzan”!

E vrasja e tij u shoqërua me dhimbje dhe heshtje për 57 vjet, 1943-1990. Në një vështrim indiferent, të shpejtë, kalimtar të gjitha vdekjet janë të tilla e shkaktojnë dhimbje. Por parë më vëmendshëm, brenda tyre paska ca shkallëzime.

Ka vdekje nga natyra, të bardha, ka vdekje që jetën ta marrin, madje dhunshëm. Ekspertët ligjorë shkruajnë se; pas vdekjeve të dhunshme, janë tri hallka; Ideatori, urdhëruesi dhe zbatuesi. Me kanun dikur, edhe në veri edhe në jug të Shqipërisë, kur vepronte zakoni i hakmarrjes, puna mbetej me atë që tha se “duhet vrarë”, ideatorin.

Por kur janë vrasje në pabesi, në errësirën e natës, të pa pafajshme, vdekjet janë shumë herë të dhimbshme! Vrasja e Neki Ymerit, ishte vrasje e shekullit, se u ekzekutua një prijës legjendar, komandanti i një çete krahine, në një moshë të re, 25 vjeç.

Mbushën 75 vite nga rënia e tij e dhimbshme, si për çdo vdekje, për një djalë të ri, për një luftëtar, për një atdhetar. Në një letër që ka lënë, autokritike, Nekiu shkruante: “Unë bëja luftën e, ndiqja vijën e Nacional Çlirimtares”. Kaq do të mjaftonte të quhej edhe një analizë.

Ai ishte djali i urtë në sjellje e, i artë në dije, i zjarrtë në fushën e betejave. Ishte njeriu i arsimuar për kohën, luftëtari i radhëve të para, një tip gjenerali ushtar, që komandonte e luftonte, që mbartte strategjinë e komandantit e, automatikun e luftëtarit.

Në një fotografi, që duhet më shumë të jetë një retushim, sesa një origjinal, që është montuar edhe në disa libra e botime gazetash më parë, Nekiu duket një burrë madhor në moshë, ndërsa në një fotografi që është gjetur më vonë, Nekiu për-shfaqet me tërë bukurinë e rininë e vet, me tërë sqimën e veshjes evropiane, me trup të drejt, ulur në mënyrë protokollare, veshur po në atë mënyrë, me kollare, me ballë të gjerë e me sy përthithës, qethur bukur, (vrojtojeni!), kokën e mban lart, flokë të zeza, mjekër pak të gjerë e simpatike, që sikurse thotë poeti Fatos Arapi, që e kishte njohur: “Neki Ymeri më ka lënë mbresa të mëdha, me pamjen e tij fizike, i pashëm, tip mitik i labit”.

Me fitoren e Betejës së Stalingradit, Hitleri ishte rrokullisur, madje kishte shkarkuar edhe gjeneralin e madh Romel, e Lindja e kishte garantuar fitoren dhe prijësit e luftës, kishin filluar të mendonin për të ardhmen, për pushtetin e tyre, e kishin nisur gjuetinë e shtrigave. Ishte pikërisht ky moment, që u vra edhe Neki Ymeri.

Stalini kishte thënë: “Marksi na ka mësuar, se Partia rron, vetëm nëpërmjet spastrimit”! Nekiu kishte mbaruar Shkollën e Mesme Teknike të Harri Fultz-it në Tiranë për gjeometër me numër amze 906, kishte marrë leksione në Korçë edhe për inxhinieri botore, gjeometër, kishte punuar në Sarandë, në Vlorë e ishte përfshirë në lëvizjen guerile.

Madje ishte shpallur në kërkim emri i tij, si njeri që po i sillte humbje pushtetit të kohës e, duhej arrestuar si i rrezikshëm. Në fillimet e vitit 1942, ishte anëtar i bërthamës ose celulës komuniste formuar në Gjorm, me Hysni Kapon, për Mesaplikun, ishte në formatimin e bërthamës së pushtetit në krahinë, ishte prijës e më vonë komandant i “Çetës Plakë”, ishte sekretar i zgjedhur në rininë e Qarkorit Vlorë-Mallakastër-Fier, për fshatin, e këtë e thotë edhe Qemal Stafa: “Në Vlorë zgjodhën sekretar të qarkorit të rinisë, Kastriot Muçon, Neki Ymerin, Zyra Radhimën, Ymer Veshin”.

Të gjitha këto funksione, i kishte mbi shpatullat e veta të njoma, dhe i përballoi falë mençurisë së tij, arsimimit, trimërisë e mbi të gjitha, falë mirësisë së tij, i kreu me sukses, ishte djali që e donin të gjithë, dhe të gjithë e merrnin pas, kishin besim dhe e shikonin të ardhmen e luftës në sytë e tij.

Kush u ndodh pranë “Vangjo”-s e nuk ia dëgjoi zërin në Lumin e Vlorës e, në Labëri, atë zë drithërues në kushtrim e magjepsës në ligjërim, që marshoi me të e, nuk ia pa hapin e kaprollit e fluturimin e shqiponjës, mbi armikun, që s’ia njohu bukurinë e fytyrës engjëllore të tij e, të zemrës së madhe, që nuk ia dëgjoi krismën gjëmëmadhe të automatikut mbi armikun, në Urën e Gjormit, në Gjorm mbi mercenarët e Halil Alisë, në Selenicë, në Qafën e Pëllumbit, në Ujin e Ftohtë, në Sirokëmba, në Kallafet, në Radhimë, në Tragjas, në Mal të Bardhë, Mallakastër, Mavrovë?

Gjithsej mbi 21 aksione. Babë Myslymi e kishte vlerësuar shumë trimërinë e atij djali (Nekiut), e kishte thënë: “E gjeta Kajo Karafilin e Vlonës”! “Por situata në Vlorë, – do të shkruante gjenerali Vehbi Hoxha që e akuzuan një jetë për fraksionist, – është kredhur në një katrahurë e, s’e merr vesh i pari të dytin”.

Në Vlorë papritur ishte shfaqur edhe Mehmet Shehu, me tërë ambicien e vetë për karrierë, e aty ishte edhe Hysni Kapo, që ishte shtylla e lëvizjes për liri, e aty ishte edhe Neki Ymeri, një ndër prijësit e padiskutueshëm, të shtetit të të ardhmes.

Po ç’kujtojnë për Neki Ymerin, komandantin e “Çetës Plakë” të Vlorës, më parë nënë zë e, më vonë duke e artikuluar, madje fort? Fatos Arapi jep portretin e tij: “Neki Ymeri na ka lënë përshtypje të madhe, për pamjen fizike të tij, leshraverdhë, fytyrë-bardhë, tip mitik i labit” (Ditari). Kristo Themelko: “U gëzova shumë për vrasjen në pritën e Gjormit…por, s’ishte ashtu.

Ata nga Vlora, që i kemi këtu, më thanë se s’është e vërtetë, qenka vrarë “Vangjua’” (“Shule”, A.Q.SH., Viti 1943, fondi 14). Kjo, “Vangjua” (!) seç e rrëqeth,… atë por edhe ne, madje edhe sot që e citojmë. Dhe kjo përcjell aq sa dhimbjen, edhe konsideratën e lartë për të. Mehmet Shehu, Berat: “Vrasja nuk pati përfundime të mira”! (Plenumi Beratit, 1944).

Që s’u vranë të gjithë apo, që u vranë ata që s’duhej. Rrahman Parllaku: “Unë ‘Xhepin’ s’e njihja. Por doja me shpirt Vebiun, ‘Vangjon’” (Libri ‘Mirënjohje’, Tiranë 2007’ fq.81). Vehbi Hoxha: “Ata që ishin ngarkuar t’i ruanin (në Kutë) shtinë mbi ta dhe…i vranë”! (Libri ‘Kujtime’, cituar). Shamet Gjika: “Vangjua dhe Xhemili (Çakërri), ngritën krye, Idrizi me shokë i qëlloi” (“Ditar i kohëve me gjëmime”, viti 2005 fq. 83). Idriz Seiti thotë në gjyqin e tij, më 1983: “Bëra detyrën e partisë”. Por ai më vonë, ka lëshuar edhe një dëshmi tjetër, se nuk kishte plan t’i vriste. Prof. Xhemil Çela: “Nekiu i kapi krahun Idrizit dhe shpëtoi i plagosur në dorë” (“Kujtime”, Tiranë 1998, fq. 134).

Natyrisht e vërtetë, kjo thuhet edhe në Gjorm, se Nekiu shpëtoi falë shkathtësisë së vet. Sadik Sinani: “Duke ardhur nga Krivova, gjeta në rrugë njërin që qante e thërriste: Ah, ‘Vangjo’, ‘Vangjo”! Madje ndonjëri shkruan se babai i Nekiut, ditën e varrimit, paska thënë: “Bëre si të kisha porositur. Dhe jetën dhe mikun nuk e tradhtove”!!!

Këtë nuk dëshiroj ta besoj dhe nuk besoj të jetë thënë. Të shkruash për njeriun legjendë, për komandantin e lavdishëm, për birin e Gjormit, të Lumit të Vlorës, të Labërisë, për atdhetarin, që për lirinë pushkën nuk e uli asnjëherë, për Neki Ymerin, është sa detyrim aq dhe e vështirë.

E vështirë, sepse nuk u muar vesh se pse u vra, “kutia e zezë” e vrasjes së tij, është ende e pazbardhur. Detyrim sepse u la në harresë, për pesëdhjetë vite. Por asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk u fol kundër tij. Ai nuk ka qenë asnjë grimcë i larguar nga lufta për liri, nga Nacional-Çlirimtarja, vija e të cilit ishte.

Nëse ka pasur një front, për Neki Ymerin, ai ka qenë vetëm Fronti i Luftës kundër zaptuesit. Ai është një figurë e madhe e Luftës e, vështirë ta rrokësh tërë madhështinë e përmbajtjen e tij të shkurtër si kohë, por të madhe, të madhe sa një epokë e tërë. Neki Ymeri, ishte më i riu ndër të mëdhenjtë e, më i madhi ndër të rinjtë. Memorie.alNga Ilirian Ballaj

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →