Bota

Udhëheqësi suprem i Iranit, i hapur ndaj negociatave me SHBA për programin bërthamor

udheheqesi suprem i iranit i hapur ndaj negociatave me shba per programin berthamor





































Udhëheqësi suprem i Iranit la të hapur të martën mundësinë e negociatave të reja me Shtetet e Bashkuara, për programin bërthamor të vendit të tij që po përparon me ritme të shpejta. Ai i tha qeverisë së tij se nuk vjen ndonjë e keqe nga angazhimi me “armikun”.

iraa

Ajatollah Ali Khamenei përcaktoi gjithashtu vijën e kuqe për mbajtjen e bisedimeve nën drejtimin e qeverisë së Presidentit reformator Masoud Pezeshkian dhe përsëriti paralajmërimin se Uashingtonit nuk i duhet zënë besë.

Sidoqoftë, komentet e tij pasqyrojnë ato të bëra në periudhën e arritjes së marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore në vitin 2015, e cila kufizoi në masë të madhe programin bërthamor të Teheranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Megjithatë, mbetet e paqartë se sa hapësirë do të ketë Presidenti Pezeshkian për të manovruar, veçanërisht pasi tensionet mbeten të larta në Lindjen e Mesme për shkak të luftës Izrael-Hamas dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten për zgjedhjet presidenciale në nëntor.

“Kjo nuk do të thotë se nuk mundemi të ndërveprojmë me të njëjtin armik në situata të caktuara”, tha zoti Khamenei, sipas një dokumenti të zbardhur në faqen e tij zyrtare. “Nuk vjen ndonjë e keqe nga kjo, por mos i vendosni shpresat tuaja tek ata”.

Ajatollahu Khamenei, i cili ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore, paralajmëroi gjithashtu kabinetin e Presidentit Pezeshkian: “Mos i besoni armikut”.

Zoti Khamenei, 85 vjeç, ka kërkuar herë pas here bisedime me Uashingtonin, ose i ka refuzuar ato, pasi Presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja në vitin 2018.

Ka patur bisedime indirekte mes Iranit dhe Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit, të ndërmjetësuara nga Omani dhe Katari, dy nga vendet partnere për Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme kur bëhet fjalë për Iranin. Komentet e zotit Khamenei u bënë një ditë pasi kryeministri i Katarit vizitoi Iranin.

I pyetur për një koment, Departamenti amerikan i Shtetit i tha agjencisë së lajmeve Associated Press: “Do ta gjykojmë udhëheqjen e Iranit nga veprimet e tyre, jo nga fjalët e tyre”.

“Kemi thënë prej kohësh se përfundimisht e shohim diplomacinë si mënyrën më të mirë për të arritur një zgjidhje efektive dhe të qëndrueshme në lidhje me programin bërthamor të Iranit”, tha Departamenti i Shtetit. “Sidoqoftë, jemi shumë larg diçkaje të tillë tani, duke patur parasysh përshkallëzimin e gjerë të Iranit, përfshirë përshkallëzimin në fushën bërthamore dhe mosbashkëpunimin” me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), agjencia mbikëqyrëse e Kombeve të Bashkuara.

“Nëse Irani dëshiron të demonstrojë seriozitet ose një qasje të re, ai duhet të ndalojë përshkallëzimin bërthamor dhe të fillojë bashkëpunimin kuptimplotë me IAEA-në”, thuhet në deklaratë.

Që nga rënia e marrëveshjes, Irani ka braktisur të gjitha kufizimet që marrëveshja i pati vënë programit të tij dhe e pasuron uraniumin deri në nivelin 60% – më pranë niveleve të pasurimit prej 90% që duhet për armët bërthamore.

Kamerat e vëzhgimit të instaluara nga IAEA-ja janë nxjerrë nga funksionimi, ndërsa Irani ua ka ndaluar qasjen disa prej inspektorëve më me përvojë të agjencisë me seli në Vjenë. Zyrtarët iranianë gjithashtu kanë kërcënuar gjithnjë e më shumë se mund të punojnë për armë bërthamore.

Ndërkohë, tensionet mes Iranit dhe Izraelit kanë arritur një nivel të ri ndërsa vazhdon lufta Izrael-Hamas në Rripin e Gazës. Teherani nisi një sulm të paprecedentë me dronë dhe raketa ndaj Izraelit në prill, pasi lufta shumëvjeçare në hije mes dy vendeve arriti kulmin me sulmin që mendohet se u bë nga Izraeli ndaj një ndërtese konsullore iraniane në Siri, që vrau dy gjeneralë iranianë dhe persona të tjerë.

Gjithashtu pas vrasjes në Teheran të udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh, Irani kërcënoi se do të hakmerret ndaj Izraelit.

Presidenti Pezeshkian, një ish-ligjvënës, e fitoi presidencën pasi ish-Presidenti i linjës së ashpër Ebrahim Raisi humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit me të cilin udhëtonte. Zoti Pezeshkian bëri fushatë me premtimin për t’u riangazhuar me Perëndimin nëpërmjet negociatave. Komentet e zotit Khamenei, si udhëheqësi kryesor i Iranit, mund t’i ofrojnë atij autorizimin e duhur politik. Ministri i ri i Jashtëm i emëruar nga Presidenti Pezeshkian, Abbas Araghchi, ishte thellësisht i përfshirë në negociatat për marrëveshjen e vitit 2015.

“Pasi kemi bërë gjithçka që mundemi, një tërheqje taktike ndonjëherë mund të jetë e nevojshme, por nuk duhet të braktisim qëllimet ose opinionet tona me shenjën e parë të vështirësive”, tha gjithashtu zoti Khameini të martën, hera e dytë në ditët e fundit që ai iu referua një “tërheqjeje taktike”, ndërsa vazhdojnë tensionet.

Megjithatë, nuk është vetëm Irani që po përballet me një presidencë të re. Shtetet e Bashkuara do të mbajnë zgjedhjet presidenciale më 5 nëntor, me kandidatë kryesorë Nënpresidenten Kamala Harris dhe ish-Presidentin Donald Trump. Irani ka qenë i shqetësuar për mundësinë e rikthimit të ish-Presidentit Trump në pushtet.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara u angazhuan në bisedime indirekte me Iranin nën drejtimin e Presidentit Joe Biden, mbetet e paqartë se si do të kalohej kjo tek një administratë e mundshme e zonjës Harris. Nënpresidentja Harris, në një fjalim në Kuvendin Kombëtar Demokrat javën e kaluar, tha: “Kurrë nuk do të hezitoj të ndërmarr çfarëdo veprimi të nevojshëm për të mbrojtur forcat dhe interesat tona kundër Iranit dhe terroristëve të mbështetur nga Irani”.

Rrjeti RANE, një firmë e studimit të rreziqeve ndaj sigurisë, tha se nëse zonja Harris fiton, “gjasat për një marrëveshje do të rriten, ndërsa luftimet Izrael-Hamas do të shkojnë drejt përfundimit”.

“Pasi të fillojnë negociatat, Irani ka të ngjarë të kërkojë më shumë mbrojtje në lidhje me një tërheqje të mundshme të Shteteve të Bashkuara nga një marrëveshje e re, pasi Shtetet e Bashkuara u larguan nga marrëveshja e mëparshme në vitin 2018”, thuhet në një analizë të firmës RANE të publikuar të martën.

“Për shkak të shqetësimeve në lidhje me qëndrueshmërinë e një marrëveshjeje të re, Irani ka më pak gjasa të ofrojë lëshime të mëtejshme bërthamore, si çmontimin e centrifugave më të avancuara, pasi Irani do të dëshironte të ishte në gjendje ta rriste programin e tij bërthamor sa më shpejt të jetë e mundur, në rast të një largimi tjetër të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e re”.

Në takimin e së martës mes Ajatollahut Khamenei dhe kabinetit të Presidentit Pezeshkian ishte i pranishëm edhe ish-ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif, i cili e ndihmoi Iranin të arrinte marrëveshjen e vitit 2015. Pas takimit, zoti Zarif tha në një mesazh në internet se do të vazhdojë të shërbejë si nënpresident në administratën e zotit Pezeshkian, pasi më herët pati dhënë publikisht dorëheqjen për shkak të ndryshimit të kabinetit qeveritar./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts