Shqipëria e futbollit amator e nisi mbarë rrugëtimin historik në kompeticionin UEFA “Regions’ Cup” duke u kualifikuar në raundin e ndërmjetëm. Kuqezinjtë regjistruan dy fitore në raundin para-eliminator të grupit A (Armeni – Shqipëri 0-4, Shqipëri – Estoni 1-0) dhe u renditën të parët me gjashtë pikë duke lënë pas Armeninë dhe Estoninë.
Trajneri i Shqipërisë së futbollit amator, Ardian Haçi, tregoi në një prononcim për fshf.org emocionet e debutimit në këtë turne shumë të rëndësishëm dhe theksoi se kualifikimi në raundin e ndërmjetëm ishte i merituar.
“Ishte hera e parë që Shqipëria merrte pjesë në një kompeticion të tillë. Ndjesitë ishin të përziera, kishte edhe emocion brenda por edhe shumë optimizëm. Djemtë iu përgjigjën shumë mirë faktit të përballjes me fushën, dhanë një shfaqje shumë të bukur futbolli dhe merituan kualifikimin në turin tjetër me dy ndeshje shumë bindëse, duke shënuar 5 gola dhe duke mos pësuar asnjë gol” – tha fillimisht trajneri i kuqezinjve, i cili u ndal edhe te kundërshtarët në raundin e ndërmjetëm aty ku Shqipëria e futbollit amator do të përballet me Çekinë, Bosnje Hercegovinën dhe Skocinë.
“Pjesa tjetër është edhe më e vështirë se e para. Ky tur përcakton se kush do të kualifikohet në tetë më të mirat e Europës për skuadrat amatore. Të tre ekipet që ne do të përballemi janë të një niveli tjetër, shumë më të fortë. Çekia renditet e treta në Europë për futbollin amator. Bosnja ka një ekip shumë të fortë por edhe Skocia nuk mbetet pas. Synimi ynë është që të kualifikohemi. Përgatitjet kanë filluar, kemi një plan stërvitor që po e zhvillojmë në Shtëpinë e Futbollit çdo javë. Entuziazmi është i madh, po përpiqemi të ndërtojmë një ekip i cili të jetë kompetitiv dhe t’ia arrijë qëllimit” – theksoi Ardian Haçi, i cili shtoi se kompeticioni UEFA “Regions’ Cup” është një mundësi e mirë për të gjithë lojtarët amator për t’u bërë pjesë e futbollit profesionist.
“Në këtë rast unë gjej edhe një shkak që t’ju bëj thirrje të gjithë lojtarëve amator, që kjo është një shfaqje futbolli e cila jo vetëm do të ngrejë Shqipërinë në këtë lloj organizimi por do t’u jap atyre një mundësi që në të ardhmen të mund të luajnë në futbollin profesionist. Shumë ekipe europiane kanë marr shkak nga kjo pjesë dhe shumë lojtarë të tyre sot luajnë në ekipe profesioniste, si nga ekipi gjerman dhe ekipe të tjera. Ka lojtarë që nga futbolli amator janë parë nga skautët në këtë kompeticion dhe kanë kaluar në futbollin profesionist” – përfundoi Ardian Haçi.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co