Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i tha homologut të vet hungarez, Peter Szijjarto, se asnjë nismë për t’i dhënë fund luftës së Moskës në Ukrainë nuk duhet të bazohet në narrativat ruse.
Kuleba i bëri këto komente gjatë një takimi me Szijjarto të mërkurën në Uashington.
Takimi i tyre në margjinat e samitit të NATO-s vjen pasi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i vizitoi Kievin, Moskën dhe Pekinin, për bisedime të cilat ai i ka paraqitur si “mision i paqes”.
Lideri hungarez, i cili e kundërshton zëshëm furnizimin e Ukrainës me ndihma ushtarake, propozoi gjatë vizitës në Kiev që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ta shqyrtojë një armëpushim në luftën mbi dyvjeçare, për ta përshpejtuar procesin e paqes.
Kjo u hodh poshtë menjëherë nga Ukraina.
Kuleba shkroi në rrjetin social X se gjatë bisedës e njoftoi Szijjarton për gjendjen në fushëbetejë dhe për përgatitjet për vazhdimin e një samiti për Ukrainën, që u mbajt në qershor në Zvicër.
“Në këtë kontekst, theksova se asnjë nismë për paqe nuk mund të bazohet në narrativat ruse”, tha ai.
Zyrtarët ukrainas e kanë hedhur poshtë idenë e armëpushimit, duke thënë se ai do të ndikonte në shtimin e sulmeve ruse më vonë. Ata thonë se nuk ka alternativë për kërkesën e Ukrainës për marrëveshje, që është tërheqja e trupave ruse nga territori i Ukrainës.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co