Tanke të dhuruara nga Britania e Madhe për Ukrainën u përdorën në inkursionin e Kievit në Rusi. Këtë e raporton një burim i besueshëm për BBC. 14 tanket “Challenger 2” iu dhuruan presidentit Volodymyr Zelensky nga ish-kryeministri britanik Rishi Sunak në janar 2023.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se nuk dëshironte të bënte asnjë deklaratë në lidhje me armët specifike të furnizuara nga MB që po përdoren në zonat e luftës. Por një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha se sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, Ukraina ka një të drejtë të qartë për vetëmbrojtje kundër sulmeve të paligjshme të Rusisë dhe “kjo nuk përjashton operacionet brenda Rusisë”.
Më herët u raportua se Ukraina po përdorte në luftimet brenda territorit rus edhe tanke gjermane. Mjetet e rënda ushtarake “Marder” u përdorën nga kombësoria ukrainase gjatë ofensivës. Lajmi solli reagimin një zyrtari rus i cili paralajmëroi se ushtria e Kremlinit mund të zbarkojë sërish deri në Berlin në shenjë hakmarrje, siç bëri ushtria e kuqe gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër nazistëve.
Ndërkohë, situata në terren për Kremlinin nuk duket aspak premtuese. Autoritetet e rajonit rus të Kurskut, skenë e ofensivës ukrainase prej gati 10 ditësh, kanë vendosur për evakuimin e detyrueshëm të banorëve të rrethit Glushkovsky, një zonë prej gati 18 mijë banorësh.
Kjo u raportua nga guvernatori i përkohshëm i rajonit Aleksei Smirnov në Telegram.
“Procesi i evakuimit të banorëve lokalë do të koordinohet nga policia, ushtria, administrata lokale dhe anëtarët e Qendrës Patriotike Kursk. Kërkoj nga të gjithë të ndjekin rekomandimet”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kreu i rajonit.
Më parë, urdhri i evakuimit ishte lëshuar vetëm për Glushkovo, qendra administrative e rrethit Glushkovsky, në kufi me Ukrainën. Në vijë të drejtë, nga Glushkova deri në kufi janë rreth shtatë kilometra.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co