Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua të martën me ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, me të cilin bisedoi edhe për çështjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në veri.
Osmani e përsëriti se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe.
“Presidentja Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Takimi i Osmanit me Ruge vjen një ditë pasi ajo e priti në një takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas.
Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë, me gjithë kundërshtimin nga bashkësia ndërkombëtare.
Kjo nxiti edhe protestë të serbëve të Kosovës në veri javën e kaluar, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës.
Një ditë më parë, Osmani tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.
Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Albin Kurtit për rihapjen në këtë kohë. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.
Megjithatë, kryeministri Kurti tha të hënën për Zërin e Amerikës se hapja e urës mbi lumin Ibër do të bëhet bazuar në një plan të cilin Qeveria e tij, siç tha ai, e ka ndarë me partnerët amerikanë dhe evropianë.
“Duam që ta bëjmë sa më parë. Por as nuk do t’i befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë në njërën anë, por as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht”, tha Kurti.
Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu” thotë për Radion Evropa e Lirë se e sheh si pozitive “zbutjen” e qëndrimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me hapjen e urës mbi lumin Ibër.
“Qeveria nuk duhet asnjëherë të ndërmarrë veprime të pakoordinuara dhe të padakorduara me partnerët ndërkombëtarë, sepse pastaj do të jetë e vështirë të zbatohen. Kësaj here po shihet që kryeministri është zbutur nga deklaratat e tij fillestare, me gjasë ka kuptuar që urën nuk mund ta hapë i vetëm, ose mund ta hapë, por prapë mund të mbyllet. Kështu që, një koordinim me partnerët ndërkombëtarë me gjasë mund të jetë shumë më i efektshëm për arritjen e qëllimit të Qeverisë së Kosovës, që ura e Ibrit të hapet për qarkullim për qytetarët”, tha ai.
Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2014, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë.
Tani ura është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu./rel
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co