Një anije e mbushur me ushqim ka mbërritur të premten në bregdetin e Rripit të Gazës, raporton Reuters.
Dërgimi i kësaj anijeje me ndihma u bë për ta testuar dërgimin e ndihmave humanitare përmes detit në enklavën e rrënuar palestineze, e cila është buzë urisë absolute pas një fushate ushtarake pesëmujore tanimë nga Izraeli.
Anija me gati 200 tonë ushqim pritet të shkarkohet në një dok që po përgatitet në Gazë. Së shpejti pritet ta nisë lundrimin edhe anija e dytë me ndihma.
Nuk ka shumë hollësi se si do të bëhet dërgimi dhe shpërndarja e ndihmave pasi anija të jetë shkarkuar në bregdetin e Gazës, pasi agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se ka shumë pengesa për dërgimin e ndihmave tek njerëzit në nevojë.
Nëse rruga e re detare është e suksesshme, ajo do të ndihmojë në lehtësimin e krizës së urisë në Gazë, ku shumica e popullit përballet me kequshqyerje. Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, Richard Peeperkorn, tha në fillim të marsit se një në gjashtë fëmijë nën moshën 2-vjeçare në veri të Gazës përballet me kequshqyerje akute.
Në javët e fundit, të paktën 15 fëmijë kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes dhe dehidrimit në spitalin Kamal Adëan në veri të Gazës, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.
Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.
Më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë./Rel/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co