Dy gra dhe një burrë janë vrarë mëngjesin e 27 janarit nga, siç thanë dëshmitarët, një sulm ajror izraelit në pjesën jugore të Gazës, përderisa Izraeli po vazhdon ofensivën e tij ushtarake në enklavën palestineze.
Sulmi ndodhi një ditë pas Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin që të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar vdekjet, shkatërrimin apo çfarëdo akti të gjenocidit në Gazë. Si pjesë e vendimit të saj obligues, gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara i kërkoi Izraelit që brenda një muaji të dorëzojë një raport në pajtueshmëri me vendimin, që nënkupton se sjellja e ushtrisë do të jetë nën vëzhgim. Megjithatë, gjykata nuk urdhëroi armëpushim në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit.
Lufta ka lënë të vrarë mbi 26.000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, ka shkaktuar shkatërrim të madh në Gazë dhe ka detyruar pothuajse 85 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës të shpërngulen. Sulmet e Hamasit, që nxitën luftën, lanë të vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe luftëtarët e Hamasit rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë gjatë luftës u rrit në 26.257 të shtunën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila tha se ditën e kaluar u regjistruan 174 të vrarë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se dy e treta e viktimave ishin gra dhe fëmijë, ndërkaq mbi 64.000 persona janë plagosur.
Izraeli mban përgjegjës Hamasin për numrin e civilëve të vrarë, duke thënë se grupi radikal vepron në zonat e populluara me civilë. Sipas Izraelit, nga ofensiva e tij ajrore dhe tokësore në Gazë janë vrarë mbi 9.000 militantë.
Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se do të vazhdojë luftën në Gazë.
Ushtria izraelite tha të shtunën se ka kryer disa “operacione të shënjestruara ndaj caqeve terroriste” në qytetin e Han Junisit, në jug të Gazës, duke vrarë “disa terroristë”.
Shtetet e Bashkuara, aleatja më e ngushtë e Izraelit, fuqishëm ka mbështetur ofensivën izraelite, por së fundmi gjithnjë e më shumë po i bën thirrje për frenim dhe që të lejojë që më shumë ndihmë humanitare të hyjë në Gazë./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co