Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me anë të një video të shpërndarë sot në mëngjes deklaroi se ushtria serbe po patrullon pranë kufirit me Kosovën, duke thënë se ky është provokim i rëndë ndaj Republikës së Kosovës.
Në lidhje me këtë deklaratë të Kurtit, ka reaguar kryetari i Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike (Marrëveshja e Kumanovës), Zoran Jovanoviç.
Jovanoviç shprehet se ato që thotë Kurti janë vetëm dizinformime ndaj Forcave të Armatosura të Serbisë.
“Përhapja e mashtrimit dhe dezinformatave, të cilat janë ekspozuar shumë herë deri më tani si gënjeshtra më ordinere, janë pjesë e një fushate më të gjerë të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, e cila ka për qëllim ngritjen e tensioneve, mashtrimin e opinionit, krijimin e kushteve të padurueshme për jetën e serbëve në Kosovë dhe shmangia e obligimit të pranuar ndërkombëtarisht”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes, Zoran Jovanoviç.
Ai sqaroi se postimi në rrjetet sociale tregon se “pjesëtarët e Forcave të Armatosura Serbe në Zonën e Sigurisë Tokësore kryejnë detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative dhe kontrollin e zonës së sigurisë tokësore, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara, sikurse në realizimin e atyre detyrave dhe zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, Ushtria bashkëpunon me KFOR-in”.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co