Vivian Jenna Wilson, vajza transgjinore e Elon Musk nuk e fshehu zhgënjimin e saj për fitoren e Donald Trump, e cila ndodhi me kontributin vendimtar të babait të saj.
“Unë nuk e shoh të ardhmen time në Shtetet e Bashkuara,” shkroi ajo, duke kritikuar klimën politike dhe tensionet në rritje ndaj komunitetit LGBTQ+.
Marrëdhëniet midis saj dhe babait Elon Musk nuk kanë qenë të mira të paktën që nga viti 2022.
20-vjeçarja në të kaluarën e ka akuzuar të atin për transfobi, “mizori” dhe tradhti, duke arritur deri aty sa deklaroi në gjykatë se nuk dëshironte të kishte më “lidhje” me babain e saj biologjik.
Ajo gjithashtu hodhi poshtë akuzat e Musk se ai ishte “mashtruar” në lidhje me ndryshimin e gjinisë, duke ndarë episode nga fëmijëria e saj në të cilat ajo pretendon se ishte trajtuar ashpër për mënyrat e saj femërore.
“Ai nuk u mashtrua”, tha Wilson, duke specifikuar se Musk ishte plotësisht i vetëdijshëm për zgjedhjet mjekësore që donte t’i nënshtrohej.