Parlamenti i Tajlandës ka zgjedhur Paetongtarn Shinawatra, vajzën e manjatit miliarder dhe ish-liderit Thaksin, si kryeministre të vendit.
Në moshën 37-vjeçare, ajo do të jetë kryeministrja më e re e vendit dhe gruaja e dytë në këtë post, pas hallës së saj Yingluck.
Zgjedhja e Paetongtarn Shinawatra vjen vetëm dy ditë pasi ish-kryeministri Srettha Thavisin u shkarkua nga një gjykatë kushtetuese. Të dy janë nga Partia Pheu Thai, e cila doli e dyta në zgjedhjet e 2023, por formoi një koalicion qeverisës.
Paetongtarn është anëtarja e katërt e klanit Shinawatra që bëhet kryeministre në dy dekadat e fundit.
Tre të tjerët, përfshirë babain e saj Thaksin dhe hallën Yingluck, u rrëzuan nga grushtet e shtetit ose vendimet e gjykatës kushtetuese.
Rrethanat e emërimit të Paetongtarn janë një kujtesë e ashpër se sa i kufizuar është fuqia e qeverive të zgjedhura në Tajlandë.
Të enjten, Paetongtarn u shpreh se e admironte punën e Srettha dhe mendonte se shkarkimi i tij ishte për të ardhur keq.
“Ne jemi mbledhur këtu sot për t’i treguar njerëzve se jemi të vendosur dhe të gatshëm për ta shtyrë vendin përpara,” u tha ajo gazetarëve të enjten në selinë e partisë së saj, ku u propozua si kandidate për kryeministre.
E shkolluar në shkolla elitare në Tajlandë dhe në universitet në MB, ajo kaloi disa vite duke punuar në grupin e hoteleve Rende të familjes Shinawatra, ku burri i saj shërben si zëvendës shef i investimeve.
Ajo iu bashkua Pheu Thai në 2021 dhe u emërua udhëheqëse e partisë në tetor 2023.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co