Vajza e ikur në mërgim e kundërshtarit të vrarë politik të Kremlinit, Boris Nemtsov, e ka akuzuar Rusinë se po e trajton në mënyrë “të tmerrshme, çnjerëzore, të pabesueshme dhe monstruoze” trupin e liderit të vdekur opozitar, Alexei Navalny, duke shtuar se kjo tregon se sa shumë i druhet presidenti Vladimir Putin trashëgimisë së Navalnyt.
“Vladimir Putin i frikësohet trupit të vdekur të Navalnyt më shumë sesa Navalnyt të gjallë”, tha Zhenna Nemtsova për Current Time, një javë pasi autoritetet ruse thanë se Navalny vdiq pasi i humbi ndjenjat në një burg në Arktik.
Babai i Nemtsovës ishte një politikan i njohur që u bë kritik i zëshëm i Putinit i cili, sikurse Navalny, nxirrte raporte të hollësishme për korrupsionin, para se të vritej.
Boris Nemtsov u qëllua me armë për vdekje në një urë pranë Kremlinit në Moskë në shkurt 2015, pak javë pasi publikisht shprehu frikën se Putini mund ta vriste.
Nemtsova tha se televizioni shtetëror rus fillimisht e “mbuloi ngjarjen e babait tim në mënyrë shumë të favorshme, por gjithçka ndryshoi…kur ndodhi marshi i varrimit” i cili dëshmoi popullaritetin e babait të saj, pasi dhjetëra mijëra rusë dolën në rrugë qoftë për një “kufomë politike”.
Si pasojë, autoritetet ruse bënë thirrje kundër mbajtjes së zisë për Nemtsovin dhe i injoruan ngacmimet e simpatizantëve të Nemtsovit nga ultranacionalistët.
“Ata e kuptojnë se e njëjta do të ndodhë edhe me Alexei Navalny” nëse lejohen momerialet publike, tha Nemtsova.
Rusia e ka shtuar përdorimin e mjeteve si, emërtimet “agjentët e huaj” dhe “të padëshirueshëm”, përvec rrahjeve brutale dhe arrestimeve, për ta minimizuar kundërshtimin publik prej se e nisi pushtimin e Ukrainës dy vjet më parë.
Policia ruse i arrestoi qindra njerëz në gjithë vendin pas vdekjes së Navalnyt dhe me shpejtësi i largoi të gjitha memorialet e improvizuara të cilat u vendosën nga qytetarët në dhjetëra qytete.
E veja e Navalnyt dhe nëna e tij e kanë akuzuar Putinin për vdekjen e tij, siç kanë bërë edhe presidenti amerikan Joe Biden dhe disa zyrtarë të tjerë perëndimorë.
Zyrtarët rusë e kanë mohuar se janë përgjegjës për vdekjen e tij, por nuk e kanë liruar trupin e tij dhe raportohet se kanë kërkuar varrim privat, para se t’ia dorëzojnë kufomën të ëmës.
“Besoj se Alexei u vra me urdhër të Putinit, dhe ata kanë frikë se në prag të zgjedhjeve, qindra mijëra njerëz do të shkojnë për t’i dhënë lamtumirë Alexeit”, tha Nemtsova.
Putini po e kërkon mandatin e pestë si president në zgjedhjet e kontrolluara me kujdes nga Kremlini më 15-17 mars, pasi zyrtarët rusë e kanë diskualifikuar tashmë kandidatin e vetëm të mirëfilltë kundër luftës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë javë më parë ia ndaloi garimin në zgjedhje Boris Nadezhdinit, i cili haptazi ka bërë thirrje për ndaljen e pushtimit të Ukrainës nga Moska./ REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co