Vazhdojnë luftimet përreth spitalit Shifa në qytetin e Gazës

vazhdojne luftimet perreth spitalit shifa ne qytetin e gazes
vazhdojne luftimet perreth spitalit shifa ne qytetin e gazes

Ushtria izraelite njoftoi të enjten për luftime përreth spitalit Shifa në qytetin e Gazës, si dhe në Khan Younis në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës e drejtuar nga Hamasi tha të enjten se 62 palestinezë ishin vrarë të mërkurën.

Ndërkohë Izraeli tha të mërkurën se do të dërgonte një delegacion të lartë në Uashington, për të diskutuar me zyrtarët e lartë amerikanë lidhur me planet për një ofensivë në Rafah.

Është një ndryshim në qëndrimin e Izraelit që e anuloi një udhëtim të tillë në shenjë proteste, pasi Shtetet e Bashkuara nuk vendosën veton, por thjesht abstenuan ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Një veprim i tillë shkaktoi reagimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, një shenjë e mëtejshme e ndasive në rritje me Uashingtonin, lidhur me luftën.

Megjithëse vizita e delegacionit u anulua, Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant ishte në Uashington këtë javë për bisedime me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.

Zoti Netanjahu ka thënë se një sulm në Rafah është i nevojshëm për të eliminuar çdo kontroll të Hamasit mbi Gazën. Por Shtetet e Bashkuara janë shprehur kundër një ofensive të tillë në qytetin ku strehohen mbi një milion civilë palestinezë që janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.

Izraeli ka thënë se do t’i zhvendosë palestinezët në zona të sigurta përpara çdo sulmi ndaj katër batalioneve të Hamasit në Rafah, por nuk ka sqaruar se ku do t’i dërgojë ata.

Kryeministri Netanahu tha se votimi në Këshillin e Sigurimit “inkurajoi Hamasin të mbajë një qëndrim të ashpër dhe të besojë se trysnia ndërkombëtare do ta pengojë Izraelin” të përmbushë synimet e luftës së tij. Izraeli është zotuar të vazhdojë luftën deri në shkatërrimin e ushtrisë së Hamasit dhe lirimin e rreth 10 pengjeve që mbahen nga grupi militant.

Shtëpia e Bardhë tha se është “diçka pozitive” të zhvillohen më shumë bisedime me zyrtarët izraelitë dhe se po diskutohet një datë për mbajtjen e tyre.

Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës e kontrolluar nga Hamasi thotë se të paktën 32,552 vetë janë vrarë gjatë ofensivës së Izraelit, e cila filloi në tetor në përgjigje të sulmit të Hamasit në Izrael që shkaktoi vdekjen e 1,200 personave, ndërsa u morën peng 250 të tjerë. Më shumë se 100 u liruan në nëntor gjatë një armëpushimi njëjavor./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →