Diaspora ruse në mbarë botën ka zhvilluar protesta e po mban zi për vdekjen e udhëheqësit kryesor të opozitës ruse, Alexey Navalny si dhe po kërkon një hetim të duhur për të zbuluar shkaqet që shkaktuan vdekjen e tij.
Nikita Kharchenko mbërriti në SHBA si refugjat nga Rusia rreth një vit më parë, duke i shpëtuar përndjekjes politike. Ai thotë se nuk ishte aq i guximshëm sa udhëheqësi i opozitës ruse Alexey Navalny, i cili ishte i patrembur për të shprehur kritikat ndaj presidentit rus Vladimir Putin.
Navalny u kthye në Rusi pas helmimit të tij në vitin 2021, shkoi në burg dhe e pagoi me jetë.
“Edhe sikur të mos ishte një vrasje e qëllimshme, siç u përpoqën ta helmonin më parë, nuk mendoj se dikush dyshon se Putini tregoi me veprimet e tij një qëllim të drejtpërdrejtë për të shkatërruar Navalny-n në burg përfundimisht, ose për të shkaktuar vdekjen e tij drejtpërdrejt”, thotë Nikita Kharchenko.
Kharchenko ishte një nga rreth 500 protestuesit që u mblodhën të premten mbrëma në Beverly Hills në Los Anxhelos për të nderuar kujtimin e Navalny-t dhe për të kërkuar një hetim të duhur për vdekjen e tij.
Navalny po vuante një dënim me 19 vjet burg kur u raportua se ndihej i sëmurë pas një shëtitje, humbi ndjenjat dhe vdiq, sipas Shërbimit të burgjeve të Rusisë.
Vetëm një ditë para se të ndërronte jetë, Navalny u pa duke buzëqeshur dhe duke bërë shaka gjatë një seance në gjykatë që u mbajt përmes videokonferencës.
Protestuesit thonë se Navalny u eliminua si kreu i opozitës ruse një muaj përpara zgjedhjeve presidenciale të vendit, ku Putin pritet të fitojë dhe të qëndrojë edhe gjashtë vite të tjera në pushtet.
“Ata donin të destabilizonin opozitën, të na paralizojnë. Kështu ne nuk mund të vazhdojmë të inkurajojmë njerëzit që të votojnë kundër Putinit, kështu që ne i kemi duart bosh, nuk mund të vazhdojmë të luftojmë sepse për shumë njerëz, me vdekjen e Alexey-t, u shua shpresa për një Rusi më të mirë”, thotë Antonina Zemlianskaia, organizatore e protestës.
Diaspora ruse ishte në rrugët e qyteteve në mbarë botën pas lajmit për vdekjen e Navalny-t. Qindra persona u mblodhën para ambasadës ruse në Uashington.
“Sot është një ditë shumë tragjike, sepse Navalny ishte një simbol i rezistencës, një simbol i heroizmit, heroizmit rus… Ai ishte një person për të cilin mund të thuash: “Po, rusët po rezistojnë dhe nuk po e pranojnë atë regjim”, thotë Ekaterina Gromova, protestuese në Uashington.
Vdekja e Navalny-t ka ndikuar shumë tek rusët thotë një protestues në Los Anxhelos.
“Ai gjithmonë kishte ndjenjën e humorit, ishte gjithmonë i buzëqeshur, edhe në kohën më të vështirë. Kjo është ajo që më frymëzon. Unë kurrë nuk kam takuar një person në historinë moderne, i cili mund të sillet si ai”, thotë Oleg Shipovskii, protestues në Los Anxhelos.
Protestuesit thonë se ata e dinë rrugën që do të ndjekin edhe me vdekjen e udhëheqësit të opozitës Alexey Navalny, pasi ky i fundit e kishte parashikuar fundin e tij në një film dokumentar që ka fituar çmimin Oskar: Ai i kërkon popullit rus “të mos dorëzohet kurrë”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co