Vdes John Lansing, ish drejtori ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Media Globale

vdes john lansing ish drejtori ekzekutiv i agjencise amerikane per media globale
vdes john lansing ish drejtori ekzekutiv i agjencise amerikane per media globale

John Lansing, i cili shërbeu në postin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Amerikane për Mediat Globale, vdiq të mërkurën në shtëpinë e tij buzë liqenit në Viskonsin në moshën 67-vjeçare. Nuk u bë menjëherë i ditur shkaku i vdekjes së tij. John Lansing mori detyrën e drejtorit ekezekutiv të Agjencisë Amerikane për Media Globale, USAGM, në vitin 2015. Si drejtor ekzekutiv, ai udhëhoqi të gjitha organet amerikane të medias për transmetime ndërkombëtare që financohen nga qeveria. Zëri i Amerikës është agjencia më e madhe në këtë grup, ku bëjnë pjesë edhe Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, Radio Azia e Lirë, Rrjeti i Transmetimeve për Lindjen e Mesme dhe Radio-Televizioni Marti.

Në një deklaratë me shkrim, drejtorja ekzekutive e Agjencisë Amerikane për Media Globale, Amanda Bennett e quajti ish shefin e agjencisë “një mbështetës të fortë të lirisë së shtypit, sigurisë së gazetarëve dhe lidhjes së njerëzve në mbarë botën në mbështetje të lirisë dhe demokracisë”. Në kohën kur ai ishte shef i Agjencisë Amerikane për Media Globale, ai krijoi një komitet të përbërë nga krerët e secilit prej organeve të agjencisë “kështu që ne mund të bisedonim rregullisht për gjendjen në botë së bashku”, tha zonja Bennett.

“John-i bëri shumë për të modernizuar këtë agjenci. Nga miratimi i strategjisë për t’i dhënë përparësi kryesore pranisë në platformat dixhitale, tek shtimi e nismave për lirinë e internetit dhe riemërtimi i agjencisë nga Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve Ndërkombëtare në Agjencinë Amerikane për Media Globale, vizioni i tij ishte transformues”, vuri në dukje zonja Bennett.

Gjatë mandatit të tij, rrjetet e Agjencisë Amerikane të Medias Globale rritën audiencën e tyre javore globale me më shumë se 100 milionë njerëz. Ai zgjeroi gjithashtu përdorimin e platformave të agjencisë, duke përfshirë fillimin e transmetimit të drejtpërdrejtë të emisioneve të koduara në radio me valë të shkurtra për të depërtuar në vendet, që bllokojnë apo ndalojnë programet amerikane. Gjatë udhëheqjes së tij, Agjencia Amerikane për Media Globale në 2017 filloi emsionin televiziv “Current Time TV” në gjuhën ruse të udhëhequr nga Radio Evropa e Lirë në partneritet me Zërin e Amerikës. John Lansing dha dorëheqjen nga posti i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Amerikane për Media Globale në vitin 2019.

Pas largimit nga Agjencia Amerikane për Media Globale, John Lansing mori postin e drejtorit ekzekutiv të Radios Publike Kombëtare, NPR, ku shërbeu deri në fillim të këtij viti. Në një deklaratë, pasuesja e tij në NPR, drejtorja ekzekutive Katherine Maher, tha se ai e kuptonte rëndësinë e rolit të radios NPR në mbështetje të demokracisë amerikane.

John Lansing filloi në gazetari kur ishte 17 vjeç në një stacion televiziv lokal në Kentaki. Më vonë gjatë karrierës së tij, ai shërbeu për nëntë vjet si president i kompanisë Scripps Networks, e cili mbikëqyr kanalet televizive Food Network dhe Travel Channel. Më pas ai u bë president dhe drejtor ekzekutiv i grupit “Cable & Telecommunications for Marketing”, që përfshin 90 kompani televizioni amerikane dhe kanadeze. Ai la pas gruan e tij Jean dhe katër fëmijët e tyre, Alex, Jackson, Nicholas dhe Jennifer./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →