Gjatë inspektimit të punimeve për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Njësinë 10, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, siguroi banorët e zonave si Kashari, Farka dhe Dajti, se shumë shpejt do të hapen çerdhe dhe kopshte të reja. Veliaj sqaroi se në këto zona, që dikur kanë qenë ish komuna, të cilat nuk kanë parashikuar hapësira për kopshte apo çerdhe, bashkia do të aplikojë një sistem tjetër.
“Në disa zona, sidomos në ato që i kemi trashëguar nga ish komunat, siç kanë qenë Kashari, Farka, Dajti, do të aplikojmë një sistem tjetër. Në pamundësi për të gjetur tokat që janë zënë nga ish-komunat, ne do të shkojmë marrjen me qira të ndërtesave me të njëjtën kubaturë, me të njëjtat kushte dhe standarde që ka vendosur ligji, për shërbimin në çerdhe dhe në kopshte. Kemi pasur edhe një fluks të jashtëzakonshëm dhe kjo është ndoshta, mënyra më e shpejtë për të ofruar shërbim aty ku nuk kemi tokë ose jemi në procese gjyqësore që zgjasin në pafundësi”, shpjegoi Veliaj.
Ai i ftoi të gjithë qytetarët për mirëkuptim. “Ne do të shfrytëzojmë maksimalisht kohën e korrikut dhe të gushtit, kur qytetarët janë me pushime, që të bëjmë vijëzime, bëjmë sinjalistikën, asfaltime, që të instalojmë rrjetet e shumta, sepse është koha kur rrugët lirohen pak nga trafiku, edhe pse parashikojmë një super fluks të turistëve”, përfundoi Veliaj.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co