Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë dy-ditore në Aleksandri, Egjipt, ku u prit në një takim nga Guvernatori i Aleksandrisë, Zëvendës-Admirali, Ahmed Khaled Hassan Said.
Në këtë takim, ata zhvilluan diskutime mbi perspektivat dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore mes Tiranës dhe Aleksandrisë, dy qytete të cilat në vitin 2025 do të bashkëndajnë titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.
“Tirana është zyrtarisht kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, bashkë me Aleksandrinë e famshme, ku prej 200 vitesh kemi pasur një koloni shqiptarësh, të Andon Zako Çajupit, të Jani Vretos, të Thimi Mitkos. Një pasuri e jashtëzakonshme që na jepet si mundësi sot për të treguar kulturën tonë këndej dhe andej Mesdheut. Ndaj, e vlerësoj shumë gatishmërinë e qeverisë së Egjiptit, të princeshës së Jordanisë, të të gjithë Unionit të Mesdheut, për ta bërë Tiranën simbolin e bashkëjetesës Mesdhetare të Kulturës dhe të Dialogut”, tha Veliaj pas vizitës.