Aktualisht Muzeu “Marubi” është në procesin e instalimit të ekspozitës “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno”.
Stafi i tij po punon që gjithçka të jetë gati për datën 19 gusht kur do të vijë ekspozita e shumëpritur. Gjithsesi, gjatë këtyre ditëve muzeu do të jetë i hapur nga ora 9:00 deri 19:00 ku mund të vizitohet ekspozita e koleksionit të përhershëm të Dinastisë Marubi. ATSH raporton se ekspozita e re do të vijë në Ditën Botërore të Fotografisë (ditën e hënë më 19 gusht). Për çeljen e saj, Muzeu “Marubi” ka bashkëpunuar me Institutin e Antropologjisë. Luçjan Bedeni, i cili është kuratori i kësaj ekspozite, rrëfen historinë e atelierit, që pas vdekjes së Pietro Marubbit (1903), pati si pronar Kel Marubin. Tërmeti i vitit 1905, i cili shkatërroi një pjesë të konsiderueshme të Shkodrës, solli edhe rrënimin e Foto Studio “Marubi”.
Është ky momenti kur Kel Marubi vendos të blejë një banesë të re dhe një dyqan në të cilin të rindërtonte nga e para studion e tij. Me një vizion të ri, Keli e shndërroi atelierin në një manifakturë që tregtonte materialet më të mira fotografike që vinin nga Parisi, Vjena, Milano e Drezdeni, duke e bërë pikë reference për rajonin. Në vitet 1908-1912 shfaqet kontributi i Kel Marubit si përkrahës i atdhetarëve. Në atelierin me emrin e shqiptarizuar në “Dritëshkroja Marubbi”, themelohet klubi “Gjuha Shqipe”, ndaj nuk është e rastësishme që shumë patriotë të fotografoheshin nga Keli.
Madje fotografive të tyre, Kel Marubi do t’i dedikonte edhe një regjistër të veçantë të quajtur “Njerz në za e sende të kujdesshme”. Në këtë regjistër gjenden edhe tri fotografi me rëndësi si: “Kongresi i Elbasanit”, “Profesorat e Shkollës Normale të Elbasanit” dhe “Nxanësit e Shkollës Normale të Elbasanit” të cilat në dukje janë riprodhime. Deri më tani për këto fotografi të publikuara nuk ka pasur asnjë informacion se kush mund të ishte autori dhe për rrjedhojë i janë atribuar Kelit. Me digjitalizimin e fototekës së Instituti të Antropologjisë është zbuluar që këto fotografi janë shkrepje të Kolë Idromenos. Kjo gjë përveçse ka sjellë një informacion të ri, na prezanton edhe me imazhe me cilësi të qartë që për vite me radhë janë publikuar të turbullta për publikun.
NDERIMI
Përmes një kolazhi fotografish të realizuara nga Pietro Marubi (14 gusht 1832 – Shkodër, 22 maj 1903), ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, nderoi dje figurën e madhe të fotografisë shqiptare në ditën e lindjes. “Me pasionin dhe përkushtimin e tij, Marubi vendosi themelet e fotografisë artistike në Shqipëri, ku nëpërmjet lenteve, na ka lënë një trashëgimi të madhe momentesh unike dhe emocione të popullit shqiptar ndër vite”, shkroi ministri Gonxhja.
Pak dihet saktësisht për vitet para ardhjes së tij, në Shqipëri. Udhëtimi i tij nisur nga Italia ka si piketa Korfuzin e Greqisë, kalimin në Shqipëri duke u ngjitur prej jugut në veri, nga Vlora në Durrës, gjersa arrin e vendoset përfundimisht në Shkodër. Vinte me njëfarë përvojë si arkitekt, piktor e skulptor, e ndër veprat e tij më të përmendura në Shkodër janë projekti i Katedrales Katolike të Shën Shtjefnit, Selisë së Konsullatës Italiane dhe pikturat murale të Kishës Ortodokse. Në Shkodër ka meritën e sjelljes së mediumit të fotografisë, në 1856, kur ishte vetëm 22 vjeç.
Marubi hapi studion e parë fotografike (Foto – Studio “Marubbi”, Casa Fondata nel’ 1856). Duke u gjendur në krye të një aktiviteti premtues, ai mori si ndihmës bijtë e Rrok Kodhelit, Matinë e Kelin. Kujdeset që t’i instruktojë ata në fushën e fotografisë duke i dërguar rreth viteve 1875 të njihen më thellë me këtë medium pranë studios fotografike “Sebastianutti and Benque” në Trieste të Italisë. Marubi realizoi kartolina me foto shqiptarësh veshur me kostume të zonave fushore e malore, si dhe portrete kartëvizitash në formate të ndryshme.Në fillim të viteve 1870 punonte dhe si reporter i revistave të huaja si: “L’Illustrazione Italiana”, “La Guerra d’Oriente” dhe “The Illustrated London Neës” duke pasqyruar me fotografi jetën në Shqipërinë e atyre viteve. Ishte mësuesi i parë i artit në Kolegjin Saverian të Jezuitëve (1878). Fotografoi edhe në vendet fqinje si familjen mbretërore të Malit të Zi, por dhe banorë e peizazhe. Teknika e përdorur fillimisht prej tij ishte ajo e kolodiumit të njomë e më pas e xhelatinës së thatë. La si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 4000 negativë në xham të përmasave të ndryshme.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co