Prej disa ditësh Partizani vijon punën nën drejtimin e trajnerit të ri, Aleksandar Veselinoviç dhe stafit të tij. Me ardhjen e serbit qëndrimi i skuadrës padyshim që ka ndryshuar, me trajnerin e ri, i cili në këtë fillim të punës ka lënë përshtypjen e një trajneri komunikues me lojtarët, por edhe shumë fanatik në stërvitjen strikte dhe nivelin e lartë për atë një orë e gjysmë apo dy orë që lojtarët janë në fushë.
Siç pritej, stërvitjet e 54- vjeçarit kanë një ritëm të lartë sa i përket intensitetit, por edhe një ngarkesë më të madhe fizike se zakonisht. Mesa duket, qëllimi i parë i Veselinoviç është rritja e aspektit atletik të lojtarëve. Sakaq, sa i përket lojës, ai pritet të kërkojë presing të lartë, teksa një stil të ngjashëm e kërkonte edhe Zekiç në atë pak kohë që qëndroi në krye të ekipit.
FORMACIONI – Në katër ditë stërvitje të zhvilluara është shumë e vështirë që trajneri të njohë lojtarët dhe cilësitë e tyre deri në detaje dhe të krijojë një formacion 100% sipas ideve të tij të lojës. Të paktën në këtë ndeshje kundër Teutës, ai pritet të mbështetet tek opinioni i Abilaliajt dhe Kalarit, por jo tërësisht. Është e vështirë të kuptosh ndryshimet, por nga ajo që nuhatet, mund të ketë lëvizje. Në portë Qirko pritet titullar, teksa Hadroj mbetet i palëvizshëm nga e djathta.
Në qendër pritet Bytyçi dhe një mes Sembene dhe Prekës, teksa nga e majta në mungesë të Zguros pritet Buxhelaj. Për pogradecarin mund të paguhet edhe gjoba për mbylljen e dënimit. Në mesfushë në vend të Kotes mund të luajë Ismaili, teksa në sulm Keko shihet si opsion para Mba dhe Bintsukës, që nuk janë dukur në formë në këtë start të sezonit.
PAUZA – Pas ndeshjes së të shtunës kundër Teutës në 20:00 në stadiumin “Niko Dovana”, Veselinoviç do të ketë një hapësirë prej mbi 10 ditësh për të njohur më shumë ekipin, si dhe për të injektuar plotësisht idetë e tij rreth mënyrës së lojës dhe mekanizmave.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co