Ish-presidenti, Alfred Moisiu është shprehur se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes.
Sipas tij, dy vendet duhet të kenë bashkëpunim më të madh edhe ndërmjet shtabeve të ushtrive pasi vetëm në këtë mënyrë, mund të përballohet çfarëdo lloj aventure e Serbisë.
Moisiu thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është ideatori kryesor i agresionit ndaj Kosovës, përmes sulmit terrorist në Banjskë.
Në një intervistë për KosovaPress, ish-presidenti i Shqipërisë thekson se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë ndërsa kërkon nga autoritetet kosovare koordinim më të madh me aleatët, sidomos me Shtetet e Bashkuara.
“Kam kritikuar edhe qeverinë në Shqipëri dhe atë të Kosovës, pasi duhet të koordinojmë më shumë dhe më mirë. Të kenë një strategji mbrojtjeje të përbashkët si komb. Duhet të bashkëpunojnë dhe ministritë e mbrojtjes dhe shtabet e përgjithshme, të ushtrisë shqiptare dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Në këtë mënyrë ne do të jemi më solid dhe të gatshëm për të përballuar çdo lloj aventure”, thotë ai.
Moisiu përmend ambiciet hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën, megjithatë thekson se dialogu i Brukselit duhet të vazhdojë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Ish-presidenti shqiptar thekson nevojën që udhëheqësit në Kosovë të koordinohen me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, për veprimet në veri.
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co