EMISIONI VETTING
SPAK mbi pallatin e banorëve të braktisur
Banorët të zemëruar nga mospërfundimi i punimeve dhe largimi i firmës fituese, duke lënë në dorë të banorëve të mbarojnë punimet në shtëpitë e tyre, ka bërë që një pjesë e tyre të depozitojnë në SPAK një kërkesë për hetim, se si janë menaxhuar fondet për pallatin e tyre.
Sipas dokumenteve, punimet e këtij pallati kanë filluar në vitin 2021, por kompanitë janë larguar sapo ka mbaruar afati në letra, pavarësisht se në terren punimet i kishin lënë përgjysmë, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi lidhur me mospërfundimin e tyre, edhe pse, fondet nuk kanë munguar.
“ Kam ulur tavanet, suvatimet, kam ulur gjithçka. Shtrimin me parket e kam bërë vetë se me vunë pllakat te ndryshme. Jo si i ka hije në banese, një shtëpie banimi. Ishin thyer pllakat, njëra ishte e kuqe, njëra e verdhë, një e zezë, ruajna Zot skandal. Skandal, a merr vesh? Atëherë u detyrova t’ia bejme vetë”- shprehet Frani banor i Durrësit.
Por si u fitua tenderi dhe përse po heton SPAK-u?
Më 12 prill 2021, Bashkia Durrës shpalli tenderin për “Riforcim godine banimi 12-13 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, rruga “Jahja Ballhysa” nr.6, kod GIS 3092 me fond limit 247 milionë lekë ose rreth 2.5 milionë euro me procedurë të kufizuar. E shpjeguar më qartë, ky fond ishte akorduar për riforcimin e njësive të banimit në ndërtesat (pallat), që ishin klasifikuar si godina të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë që nuk duhej të rindërtoheshin nga e para, por kishin nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime në lote.
Mbas 10 ditësh, Bashkia e Durrësit do të mbyllte garën duke klasifikuar 3 kompani në fazën e parë, “Ante-Group”, Konsorciumin “BE – IS” shpk & ERGI & 2T”, konsorciumin “ Ish EURO-ALB (Lis Konstruksion) & LLAZO & ED KONSTRUKSION” dhe operatorin ekonomik “INERTI”.
Në fazën e dytë te tenderimit, do të klasifikohej bashkimi i operatorëve “BE – IS” shpk & ERGI & 2T”, por në mënyrë të pashpjegueshme këto kompani do të tërhiqeshin nga gara e organizuar nga kryetarja aktuale e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, asokohe nënkryetare.
Tërheqja nga tenderi i këtyre kompanive do të sillte shpalljen automatikisht fitues të konsorciumit “ Ish EURO-ALB (Lis Konstruksion) & LLAZO & ED KONSTRUKSION”, i cili gjendej në vend të dytë me ofertën 247 milionë lekë ose 2.4 milionë euro, sa 99.9% e fondit limit.
Sipas banorëve, mbasi filluan punimet për riforcimin e pallatit, kompanitë nuk mbyllën të gjitha punimet e kontratës të lidhur me Bashkinë e Durrësit.
“ Edhe për apartamentet që dëmet ishin të konsiderueshme, punimet u bënë si u bënë. Është vendosur dorë nga të gjithë banorët për të sistemuar punimet që janë riparuar nga firma”- thekson administratorja Jonida Cece.
Sipas Open Data Albania, “Lis konstruksion” (Ish EURO-ALB) ka marrë vetëm 204 milionë lekë ose 2 milionë euro nga Bashkia e Durrësit, të cilat korrespondojnë vetëm me 82% të fondit që duhet të kishte marrë kompania.
Por, pavarësisht se kompania ka mbetur pa u likuiduar për 18% të vlerës se tenderit të fituar, çuditërisht ky subjekt nuk ka depozituar asnjë ankesë kundrejt Bashkisë për mos shlyerje të pagesave.
“Vetting” kontaktoi Bashkinë e Durrësit për arsyet e ndërprerjes së punimeve nga kompania dhe cilat ishin masat e ndërmarra ndaj kompanisë, por deri në publikimin e këtij materiali institucioni refuzoi tu përgjigjej këtyre pyetjeve.
Por cila është kompania e rindërtimit që ka përfunduar në SPAK?
Kompania “Lis Konstruksion” (ish EURO-ALB) është themeluar në vitin 1999 nga Bujar Murati, i cili më vonë do t’i shiste aksionet gruas së vet Doriana Murati, e cila në 2012 do ia dhuronte aksionet mbesës së bashkëshortit, Erilda Murati, e bija e Imer Muratit, pronar i një tjetër kompanie ndërtimi “Murati” shpk, që është e lidhur me “Lis konstruksion”.
Më pas në 2013, kjo e fundit do ia dhuronte aksionet Bujar Muratit, i cili do të rimerrte kontrollin e kompanisë për t’ia dhuruar vitin e kaluar kompaninë bashkëshortes, Doriana Murati.
Nga të dhënat e siguruara nga “Vetting” rezulton se në vitin 2013, kompania “Lis Konstruksion” (ish EURO-ALB) e Bujar Muratit do të fillonte procedurat e bashkimit nëpërmjet përthithjes me kompaninë “MURATI” shpk në pronësi të vëllait të vet, Imer Murati.
Zakonisht këto bashkime ndodhin që kompanitë të forcohen më shumë nga aspekti financiar dhe i burimeve njerëzore, por një detaj i rëndësishëm zbulohet nga raporti i bashkimit të kompanive.
Sipas dokumenteve zyrtare të bashkimit, “MURATI” shpk ka përgjegjësi për kontratat e punës të siguruara nga “EURO-ALB”, sot “Lis konstruksion”.
Dhurimi i aksioneve dhe ndryshimi i emrit kanë ndodhur në periudhën mars-prill 2023, dy vite pas operacionit të Prokurorisë së Posaçme në 2021, ku u arrestua ish kryebashkiaku i Lushnjës Fatos Tushe pasi ky i fundit kishte favorizuar kompaninë “Lis Konstruksion” (Ish EURO-ALB) për një tender të akorduar nga Bashkia e Lushnjës.
Në rastin konkret bëhej fjalë për tenderin e kanalit të ujit, me vlerë 24 milionë lekë, ku së bashku me ish-kryebashkiakun u arrestua edhe Bujar Murati nën akuzë për falsifikim dokumentesh e kryer në bashkëpunim. Nga informacionet e siguruara nga SPAK, problemi kishte filluar me ankesat që kishin bërë kompanitë e tjera garuese, duke sjellë edhe shqetësimin e ish-kryebashkiakut Fatos Tushe, informacione që zbulohen nga përgjimet e Prokurorisë.
Por Bujar Murati nuk është një emër i panjohur për drejtësinë dhe fushën e prokurimeve publike. Në vitin 2009, Bujar Murati ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, periudhë në të cilën u arrestua për çështjen e tenderit të uniformave të policisë. Sipas akuzave të ngritura asokohe nga prokuroria dhe policia, biznesmenët e përfshirë në këtë procedurë prokurimesh do t’u jepnin një pjesë të fitimit zyrtarëve publikë për t’i shpallur fitues të tenderit.
Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, mësohet se në janar 2014, Bujar Murati depozitoi një padi civile në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar dëmshpërblim për ditët e burgut.
“Murati” fitoi mbi 50 tendera
Në 5 vitet e fundit, kompania e “Lis konstruksion” (EURO-ALB) e vetme, por edhe si bashkim kompanish me “MURATI” shpk, është shpallur fituese e mbi 50 tenderave me vlerë dhjetra miliona euro. Këto tendera janë organizuar kryesisht nga Bashkitë Cërrik, Gramsh, Rrogozhinë, Kamëz, Sarandë, Berat, Shijak, Vorë, Krujë dhe Maliq, Përrenjas, Bulqizë.
Një pjesë e këtyre tenderave rezultojnë pa garë ose kompanitë konkurruese janë skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Kjo ka bërë që këto tendera të shënohen me flamur të kuq nga Open Data Albania.
Nga informacionet e siguruara nga bilancet e të dyja kompanive,” Lis Konstruksion” dhe “MURATI” shpk, rezulton se ato kanë kryer shërbime për komunat dhe drejtoritë e përgjithshme jo vetëm në 11 vitet e fundit por edhe para ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet.
Të shqetësuar por këtë proces të papërfunduar të punimeve kanë qenë edhe ekspertët që vëzhgojnë tenderimet dhe lëvrimet e fondeve. Drejtuesja e OPEN DATA, Aranita Brahaj e sheh si të dyshimtë edhe tërheqjen e firmave ndërkombëtare në këtë proces, edhe pse fillimisht, pas marrjes së fondeve nga BE, u bënë thirrje.
“Në propagandën qeveritare janë shpërndarë shtëpi e janë dhënë çelsha banesash por cilësia e punimeve lë për të dëshiruar duke paramenduar se janë fondet e BE dhe cilësia as nuk duhej të diskutohej. Por kjo është një ndër arsyet se pse asnjë firmë e huaj nuk arriti të garonte për të dhënë në fund çelësat e një banese të fortë dhe të arrinte të duronte lëkundjet e mundeshe të tërmetit”, thekson Aranita Brahaj.
LEXO EDHE: