Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, nëpërmjet dokumenteve zyrtare për emisionin “Vetting”, ka hedhur dritë mbi faktin se zv. ministri aktual i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ceno Klosi, gjatë kohës që ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, ka fshehur kompaninë dhe hotelin e tij në Angli, shkelje të cilat e kanë vendosur nën hetim nga SPAK.
Në dokumentet e siguruara nga ky institucion, në deklarimin e pasurisë për vitin 2022 për subjektin Ceno Klosi, “Vetting” ka rikonfirmuar se ish Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ceno Klosi nuk ka deklaruar që është aksioner te kompania në Londër “First Bar Limited”.
[embedded content]
Konkretisht në tre deklarata të njëpasnjëshme, në 19 shkurt 2022, në 26 mars dhe 19 maj 2023, gjatë kohës që zv. ministri aktual ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, kompania në Londër ka deklaruar pranë regjistrit të kompanive britanike, se Ceno Klosi ka qenë aksioner i kompanisë me 33% të aksioneve. Madje në statusin aktual të “First Bar Limited”, sipas të dhënave nga regjistri britanik ai rezulton si aksioner me status aktiv.
Pra, edhe në detyrën e re si zv.ministër, propozim i bërë nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, ka dyshime të forta që Klosi vazhdon të jetë në konflikt interesi me detyrën sepse sipas nenit 27, pika a, b dhe c, e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike, “zëvendësministri nuk mund të zotërojë aksione në mënyrë aktive ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj.”
Në investigimet e mëparshme, nga burime konfidenciale “Vetting” ka zbuluar se Klosi është njëri nga pronarët e një hoteli prestigjioz në Londër.
Në momentin e propozimit të detyrës, ish kryetatimori Klosi nuk duhej të kishte pranuar postin, pasi ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike e ndalonte në mënyrë kategorike të merrte këtë post.
Aktualisht, zv.ministri Ceno Klosi po hetohet për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Përmes një shkrese zyrtare për ‘News 24’, Prokuroria e Posaçme konfirmoi se hetimet ndaj ish kryetatimorit Klosi u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike.
Ngelet mister se si zyrtari i lartë, Klosi i cili ishte në konflikt interesi të vazhdueshëm me detyrën, në shkelje të Kodit Penal dhe nën hetim nga SPAK për fshehje të pasurisë, u propozua nga ministrja Belinda Balluku për të zënë vendin e zv. ministrit.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co