Juventus nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në shtëpi ndaj Empolit, në sfidën e Serie A, duke u ndalur kështu pas disa fitoresh radhazi. Takimi filloi në “malore” për “Zonjën e Vjetër”. Bardhezinjtë mbetën me një lojtar më pak që në minutën e 18-të, pasi Milik u ndëshkua me karton të kuq, për një ndërhyrje të ashpër.
Pas kontrollit në VAR, arbitri Marinelli nuk hezitoi të nxirrte nga loja polakun.Mysafirët patën rastet e veta, pa mundur dot të tregohen konkret. Në fillimin e pjesës së dytë, Vlahovic “nuhati” mirë golin, teksa gjatë një rrëmuje ne zonë, me një të majtë të bukur, sulmuesi serb ndëshkoi portierin Elia Caprile. Festë e ligjshme në Torino për juventinët, në një sfidë kaq delikate.
Në superioritet numerik, Empoli u vendos në kërkim të golit të barazimit dhe u shpërblye pas disa rastesh. Tommaso Baldanzi dërgoi topin në rrjetë, gjuajtje tokazi, e pamundur për t’u arritur nga Wojciech Szczesny.
Titullar në këtë sfidë ishte edhe Ardjan Ismajli, që i dha stabilitetin e duhur skuadrës së Davide Nicolas. Juventus kryeson me 53 pikë, 2 pikë më shumë se Interi ndjekës, por këta të fundit kanë luajtur 2 ndeshje më pak. Empoli gjendet në vendin e parafundit.
(J.S/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co