Kthimi i emigrantëve, për të rindërtuar jetën në Shqipëri është shumë i vështirë. Një histori e veçantë vjen nga Kukësi, ku një çift shqiptaro-çek kanë vendosur të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, duke investuar në ndërtimin e një stalle në fshatin Gjegjan.
[embedded content]
Natyra e bukur, klima e pastër dhe ditët me diell janë disa nga faktorët që ndikuan që Ardian Nërguti, së bashku me bashkëshorten e tij me origjinë çeke dhe vajzën e tyre të mitur të lënë Anglinë, për të jetuar në Shqipëri. Paula shprehet se Shqipëria është vendi ideal, ku dëshiron të rrisë vajzën e saj.
“Nuk është shumë e vështirë sepse unë kam qenë 15 herë këtu me burrin tim. Jemi bashkë prej 10 vitesh, më pëlqen shumë Shqipëria për vajzën time. Ajo do të rrijë këtu. Ka ajër të pastër dhe natyrë”, tha Paula Nërguti.
I gjendur 25 vite në emigrim, Ardiani rrëfen se me fitimet e nxjerra ndër vite do të ndërtojnë një stallë me 15 krerë gjedhë, por procedurat për marrjen e lejes së ndërtimit po i marrin shumë kohë, duke ulur kështu ritmin e punës së tyre.
“Duam të rrimë këtu, të ndërtojmë jetën në Shqipëri. Asnjë qendër apo zyrë e shtetit nuk na jep asnjë ndihmë të vogël apo shpresë që të vazhdojmë me biznesin tonë. Pa ndihmën e shtetit nuk kemi çfarë të bëjmë. Duhet të na ndihmojë me leje ose me gjithçka. Nëse nuk na bëhet zgjidhja me leje dhe gjithçka si duhet, do na duhet të kthehemi mbrapsht”, u shpreh ai.
Kukësi gjatë viteve të fundit është qarku më i prekur nga emigrimi masiv i të rinjve, ndërsa ata pak emigrantë që mendojnë rikthimin në vendlindje, përballen me pengesa që bllokojnë punën e tyre.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co