Trajneri Visent Kompani kreu debutimin në “timonin” e Bajernit ditën e djeshme, ndonëse në një ndeshje miqësore. Rekordmenët e Gjermanisë u përballën me Rotak-Egern, takim i përfunduar me shifrat 14-1.
Në ekipin titullar u prezantuan disa emra me peshë në kontingjentin e bavarezëve si Ulraish, Gorecka, Daier, Satanisiç, Mazraui, Til dhe Guerreiro.
Edhe pse ata u përballën me një ekip amator, sërish grinta e lojtarëve të Kompanisë u dallua qartë. Duheshin pritur 24 minuta për të parë golin e parë, që u shënua nga Lisina.
Pas vetëm një minute ai shënoi sërish, çka i hapi “krahun” spektaklit të Matis Til, i cili shënoi një tregolësh. Për Bajernin finalizuan në fraksionin e parë të lojës edhe Mazraui e Guerreiro.
Intensiteti nuk u ul as në 45 minuta e mbetura të duelit. Futbollisti me origjinë shqiptare, Arjon Ibrahimoviç, gjeti rrugën e rrjetës. Transferimi më i fundit, Irankunda, e nis aventurë te bavarezët me dopietë.
Në listën përfundimtare të shënuesve pati vend edhe për Sasha Boei, Sadat, Asp dhe Aseko-Nkili. Protagonistë si Herri Kejn apo Xhama Musiala janë ende me pushime dhe nuk dihet nëse ata do të jenë të gatshëm për takimin e radhës, që do të zhvillohet më 3 gusht dhe do të jetë miqësorja kundër Totenhemit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co