Një situatë humoristike, por edhe aq e sikletshme i ka ndodhur Qazim Laçit përpara ndeshjes së fundit. Kur i gjithë ekipi po bëhej gati për të udhëtuar në transfertën e Fejnordit dhe pothuajse të gjithë lojtarët kishin hipur në avion, Laçit i ndodh një incident me drejtorin sportiv Tomas Roziçki.
Mesfushori kuqezi nga dera e avionit po luante me një shok skuadre me topa bore, duke marrë shënjestër njëri-tjetrin, por gjatë një goditjeje të Laçit, dëbora përfundon në kokën e Roziçkit, që sapo ngjiste shkallët e hyrjes në avion.
Në atë moment, Laçi hyn me vrap brenda dhe Roziçkit i thonë që ishte goditja e tij, gjithmonë mes të qeshurave. Kur Roziçki hyri në avion dhe po takonte të gjithë lojtarët, kur po afrohej te vendi që ishte ulur Laçi, dukej qartë që shqiptari ishte në siklet. Ai menjëherë i jep dorën dhe i kërkon të falur, me Roziçkin që e kalon me sportivitet.
“Më fal, më fal, nuk të pashë që po vije”, thotë Laçi që mes të qeshurash shton: “Jam i mbaruar tani”. Ndërkohë, edhe tifozët mes humorit komentuan se u gjet arsyeja pse ai nuk luajti titullar me Fejnordin. (VIDEO)
PANORAMASPORT.AL