Kryeministri Edi Rama ka rrëmbyer sërish vëmendjen me veshjen e tij, këtë herë në Samitin e NATO-s në Uashington. Rama e ka kthyer në rutinë veshjen e atleteve të bardha me kostum, në takimet e nivelit të lartë. Një detaj që gjithmonë nuk i shpëton opinionit publik dhe medias vendase dhe ndërkombëtare.
Atletet e bardha të kryeministrit kanë bërë sërish xhiron e rrjeteve sociale. Në një video që qarkullon në media dhe rrjete sociale duket se atletet e Ramës nuk i kanë shpëtuar vëmendjes edhe nga Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili nuk ka hezituar që t’i japë një shenjë “aprovimi” sapo e ka parë kryeministrin shqiptar në podium pranë tij.
Komunikimi i shkurtër mes Ramës dhe Macron gjatë momentit të fotos familjare të liderve të vendeve anëtare të NATO-s, është shoqëruar edhe me reagimin e kryeministrit i cili ka qeshur me komentin “aprovues” të Macron për atletet.
Në Uashington zhvilloi punimet Samiti i NATO-s përgjatë dy ditëve, në 75-vjetorin e themelimit të Aleancës. NATO mori vendime të rëndësishme sa i takon konfliktit në Ukrainë, duke miratuar dhënien e avionëve F-16 qeverisë së Kievit që prej më shumë se 2 vitesh ndodhet në luftë me Rusinë.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co