Letsile Tebogo, sprintieri 21- vjeçar nga Botsvana, ka marrë një fitore fantastike në finalen e 200 metrave për meshkuj në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, duke bërë të tijën medaljen e artë.
Tebogo e ndali kronometrin në kohën 19″46, për të vendosur edhe një rekord të ri afrikan. Në finalen e 200 metrave, pa asnjë atlet europian, Tebogo e mori komandën 80 metra nga fundi, duke mposhtur kundërshtarët amerikanë, për të shkruar historinë si medalisti i parë i artë olimpik i Botsvanës. Atleti afrikan zhvilloi një garë të jashtëzakonshme, për t’i lënë pas vetes, duke nisur që nga favoriti Noah Lyles, kampion në 100 metra, i cili madje nuk arriti të fitonte as të argjendtën, me amerikanin që u klasifikua në vend të tretë me kohën 19″70, pas bashkëkombësit të tij, Kenneth Bednarek që shënoi rezultatin 19″62 në vendin e dytë.
Lyles, i cili vinte me shumë bujë në “Paris 2024” dhe me pritshmëri të mëdha për medaljen e artë në 200 metra, mori të njëjtën rezultat si në “Tokio 2020”. Por duhet të kënaqet me bronzin, ndërsa e mbylli garën me probleme me frymëmarrjen, duke kërkuar ndihmën e mjekëve.
Ndërkohë “BBC”, duke iu referuar disa burimeve në Federatën Amerikane, bën të ditur se Lyles ka garuar në finalen e 200 metrave i infektuar me COVID. Ndërsa për Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijon “mallkimi” në garën e 200 metrave, teksa medalja e artë në këtë disiplinë mungon që prej Lojërave Olimpike “Athinë 2004”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co