Vijojnë efektet e rënies së Euros/ Forcimi i lekut tkurri me 28 miliardë lekë në një vit madhësinë e sektorit bankar

vijojne efektet e renies se euros forcimi i lekut tkurri me 28 miliarde leke ne nje vit madhesine e sektorit bankar
vijojne efektet e renies se euros forcimi i lekut tkurri me 28 miliarde leke ne nje vit madhesine e sektorit bankar

Rënia e kursit të këmbimit të euros me lekun po vazhdon të japë një efekt negativ mbi madhësinë e bilancit të sektorit bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti forcimi i lekut ka pasur një efekt negativ prej rreth 28 miliardë lekësh në totalin e aktiveve të sektorit bankar, krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, Banka Qendrore vlerëson se gjatë vitit të fundit, vlera e ndikimit statistikor negativ të kursit të këmbimit ka ardhur në rënie.

Në krahun e aktiveve, forcimi i monedhës vendase ka pasur ndikim më të madh në zërat kryesorë të bilancit si veprimet me titujt, veprimet me thesarin dhe ato ndërbankare (për rreth 10 miliardë lekë, për secilin). Në anën e pasivit, efekti i kursit mbi vlerën e raportuar të depozitave në valutë vlerësohet në rreth 21 miliardë lekë. Efekti pakësues statistikor i kursit të këmbimit është ndjerë edhe për pjesën në valutë të kapitalit të sektorit bankar, për një vlerë rreth 15 miliardë lekë.

Në fund të muajit qershor 2024, kursi i këmbimit euro-lek zbriti në nivelin e 100.3 lekëve, nga 106.4 lekë që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia me 5.8% e kursit të euros rrjedhimisht ka vazhduar të reflektohet në një tkurrje të vlerës së aktiveve në valutë të sektorit bankar.

Në terma vjetorë, aktivet dhe detyrimet në valutë u rritën me nga 4%, por të korrigjuara për efektin e ndryshimit të kursit të këmbimit, këto norma rritjeje llogariten përkatësisht në 9% dhe 10%.

Pesha e aktiveve dhe detyrimeve në valutë ndaj totalit të bilancit ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë. Në fund të periudhës, aktivet dhe detyrimet e sektorit bankar në valutë zinin përkatësisht 50% dhe 49% të totalit të bilancit. Nga ana e aktiveve në valutë, zërat me peshën më të madhe janë investimet në kredi dhe ato në titujt e qeverisë. Nga ana e detyrimeve në valutë, struktura paraqitet më e qëndrueshme në vite dhe mbizotërohet nga depozitat në valutë. Zërat e mësipërm kanë përcaktuar në masën më të madhe ndjeshmërinë e kufizuar të sektorit bankar ndaj ndryshimeve në kursin e këmbimit.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i aktiveve të sektorit bankar në mesin e këtij viti ishte 2.03 trilionë lekë, në rritje me 7.2% (136 miliardë lekë) krahasuar me një vit më parë. Kontributin kryesor në rritjen e aktiveve e ka dhënë zgjerimi i aktivitetit kreditues me 11.3% (85 miliardë lekë) dhe i investimeve në tituj me 9.3% (68 miliardë lekë).

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti aktivet e sektorit bankar përbënin rreth 85% të Prodhimit të Brendshëm Bruto./ Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →