Ministri i Shëndetësisë i Libanit, ka deklaruar se 274 persona janë vrarë në sulmet izraelite në Liban, duke përfshirë 21 fëmijë dhe 31 gra, ndërsa më shumë se 1000 njerëz janë plagosur.
Këto shifra vijnë pas dhjetëra të vrarëve dhe mijëra të plagosurve javën e kaluar kur pajisjet pajierë dhe telekomandat u shpërthyen brenda Libanit.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, bombardimet izraelite po vazhdojnë në Libanin jugor, duke përfshirë qytetin bregdetar të Tirit. Mijëra banorë thuhet se po ikin nga rajoni drejt Bejrutit.
Izraeli nga ana tjetër thotë se po zgjeron sulmet e tij kundër Hezbollahut pasi qytetarët në Libanin jugor kanë marrë mesazhe telefonike duke i paralajmëruar ata të largohen nga vendet e përdorura nga grupi i mbështetur nga Irani.
Kryeministri i Libanit thotë se veprimet e Izraelit përbëjnë një luftë shfarosjeje, ndërsa ministri i mbrojtjes i Izraelit, thotë se “sulmet do të vazhdojnë derisa të arrijmë qëllimet tona, të kthejmë banorët e veriut të sigurt në shtëpitë e tyre”.
Frika e një konflikti gjithëpërfshirës rajonal në Lindjen e Mesme është rritur javën e kaluar, ku sulmet ndërkufitare janë rritur pas një serie sulmesh me pajisje shpërthyese ndaj anëtarëve të Hezbollahut, për të cilat fajësohej gjerësisht Izraeli.