Lotar Mateus aktualisht po shkakton mjaft bujë me deklaratat e tij shpërthyese në “Sky90” për lëvizjen e supozuar të dështuar të Florian Virc në Bajern.Sipas ekspertit televiziv, skuadra nga Mynihu mund të kishte nënshkruar me lojtarin e kombëtares së Gjermanisë në kohën e Hasan Salihamixhiç. Sipas kësaj “teorie”, ish-trajneri i bavarezëve Hansi Flik thuhet se ka shtyrë edhe për një transferim, por Salihamixhiç dyshohet se e ka refuzuar këtë.
KRITIKAT E MATUES – Përmes informacioneve nga Mateus, personaliteti i Virc shkaktoi diskutime brenda te rekordmenët në atë kohë: “Pse ndodhi debati midis Flik dhe Hasan Salihamixhiç? Sepse ai thjesht donte të sillte lojtarë që ishin zhvilluar shumë mirë në moshën 17-vjeçare. Flik kishte gjithmonë një sy për lojtarët e rinj. Ai po mendonte edhe për Virc. Ishte një mosmarrëveshje mes Hansit dhe Bajern Mynih.
Ai do të ishte i disponueshëm, por klubi bavarez me në krye ish-drejtorin boshnjak nuk e donte atë”, tha Lotar Mateus. Nuk është sekret që gjigandët nga Mynihu ka pasur Florian Virc në radarin e tyre për një kohë të gjatë. Prandaj, talenti i Gjermanisë është lartë në listën e dëshirave të transferimeve për verën e vitit 2025. Por një gjë është e qartë, nëse ekipi me bazë në “Allianz Arena” do të kishte nënshkruar me lojtarin sulmues në edicionin 2020/ 2021, ata do të kishin paguar vetëm një pjesë të tarifës së transferimit të përfolur aktualisht. Sipas zërave, Leverkuseni kërkon 130-150 milionë euro për Virtz. Tre vite më parë vlera e tregut ishte vetëm 45 milionë euro.
REAGIMI I “BRAZOS” – Nuk kaloi shumë kohë që Salihamixhiç reagoi ndaj akuzës së Lotarit. Ish-anëtari i bordit të Bajernit mohoi versionin e Mateus: “Nuk ka pasur kurrë këtë argument për të cilin po flet Lotar. Unë gjithashtu nuk fola kurrë me Hansi Flik për një transferim të Florian Virc. Kjo është absurditet i plotë. Mateus, në rolin e tij si ekspert, duhet të kontrollojë më mirë burimet e tij përpara se të përhapë thashetheme të tilla të pabaza dhe të mos shtrojë vazhdimisht gënjeshtra për mua dhe klubin ku unë kam punuar”, theksoi “Brazo” në një intervistë për “BILD”.
Megjithatë, Hasan (Salihamixhiç) konfirmon se Florian (Virc) ishte sigurisht një pikë diskutimi për skuadrën më të titullar në Gjermani. Prandaj, u bënë përpjekje për ta mbështetur që në moshë të re: “Pas disa përpjekjesh, na u desh të pranonim se Floriani donte të zhvillohej në mjedisin e tij familjar dhe të përfundonte shkollimin në vendin e tij. Ne e respektuam atë”. Pati edhe një përpjekje të re gjatë kohës së Nagelsmanit në Mynih, por edhe kjo ishte e pasuksesshme: “Gjatë kohës së Julianit, ne e pamë sërish Vircin nga afër, edhe pse ai sapo kishte këputur ligamentin e kryqëzuar. Në atë periudhë një transferim nuk ishte i mundur për shkak të situatës së kontratës dhe planifikimit të karrierës së tij”, e mbylli Salihamixhiç.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL