Situata në qytetin e Vlorës paraqitet problematike një ditë pas përmbytjeve që shkaktuan reshjet e dendura të shiut.
Situata është më kritike në aksin rrugor “Albano dhe Romina”, e cila është kthyer në “liqen”, ndërsa automjetet “notojnë” në ujë.
Gazetari Enrik Mehmeti, raporton se niveli i ujit ka arritur deri në 1 metër, ndërsa makinat kanë mbetur të fikura në mes të rrugës.
Karroatrecët kanë hasur vështirësi për t’u futur në këtë aks rrugor dhe tërhequr automjetet e bllokuara në ujë.
Ekipet e emergjencave civile kanë punuar gjatë natës dhe vazhdojnë të angazhohen për lehtësimin e situatës.
Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha, ndërsa 55 persona janë evakuuar dhe po qëndrojnë në konviktet e qytetit, në pritje të normalizimit të kushteve në banesat e tyre.
Autoritetet lokale janë duke monitoruar situatën dhe planifikojnë masa të menjëhershme për të rikthyer normalitetin në këtë zonë të prekur nga reshjet e shiut.