VOA: Bisedimet SHBA-Kinë mes përpjekjeve për të shmangur një konflikt të padëshiruar

voa bisedimet shba kine mes perpjekjeve per te shmangur nje konflikt te padeshiruar































Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Kurt Campbell, do të presë të enjten në Uashington Zëvendësministrin e Jashtëm të Kinës Ma Zhaoxu. Bisedimet synojnë të mbajnë hapur linjat e komunikimit për të parandaluar përllogaritjet e gabuara dhe konfliktet e paqëllimshme, veçanërisht në raste tensionesh.

shba kine

Pas dy orësh diskutimesh ballë për ballë, zyrtarët amerikanë dhe kinezë do të zhvillojnë një drekë pune në Departamentin e Shtetit. Më vonë pasdite, Zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jon Finer, do të vazhdojë diskutimet me zotin Ma.

Vizita e zyrtarit kinez në Uashington, Ma Zhaoxu, vjen pas vizitës së kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, në Shangai dhe Pekin në muajin prill.

Zyrtarët thanë se takimi është pjesë e përpjekjeve intensive diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për të menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën në marrëdhëniet mes dy vendeve, madje edhe në fusha ku palët nuk pajtohen.

“Ndërsa vazhdojmë të ndërmarrim veprime për të mbrojtur interesat dhe vlerat tona dhe ato të aleatëve dhe partnerëve tanë, ne po përdorim gjithashtu me Kinën diplomacinë ballë për ballë për të komunikuar qartë dhe drejtpërdrejt qëndrimet dhe synimet tona, dhe për të bërë përparime në çështjet dypalëshe, rajonale dhe globale që kanë rëndësi për popullin amerikan dhe botën”, tha për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës tha se gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara nga 30 maji deri më 2 qershor, zoti Ma do të “ndërveprojë dhe komunikojë me përfaqësues nga sektorë të ndryshëm amerikanë”.

Ndërsa ishte për vizitë në Pekin muajin e kaluar, Sekretari Blinken shprehu “shqetësim serioz” në lidhje me mbështetjen e Kinës për industrinë ruse të mbrojtjes, duke i paralajmëruar udhëheqësit kinezë se Uashingtoni mund të vendosë sanksione lidhur me këtë çështje.

Kina e ka mbrojtur qasjen e saj ndaj Rusisë, duke thënë se është e angazhuar vetëm në shkëmbime normale ekonomike me një partner të madh tregtar.

Të mërkurën, Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Kurt Campbell, ritheksoi paralajmërimin amerikan. Ai tha se mbështetja kineze po ndihmonte në rigjallërimin e aftësive ushtarake të Rusisë, përfshirë raketat me rreze të gjatë, artilerinë dhe dronët.

Gjatë vizitës së tij në Bruksel, diplomati i dytë më i lartë i Departamentit të Shtetit theksoi nevojën urgjente që vendet evropiane dhe të NATO-s “t’i dërgojnë Kinës një mesazh të përbashkët shqetësimi për veprimet e saj, të cilat ne i konsiderojmë se janë destabilizuese në zemër të Evropës”.

Bisedimet e fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës vijnë vetëm pak ditë pasi Kina kreu një stërvitje ushtarake dyditore në shkallë të gjerë rreth Tajvanit me 111 avionë dhe 46 anije.

Uashingtoni i ka kërkuar vazhdimisht Pekinit që të ushtrojë përmbajtje duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Kinën dhe Tajvanin, Mark Lambert, zhvilloi më 23 maj një bisedë virtuale me Drejtorin e Përgjithshëm të Kinës për Çështjet e Kufirit dhe Oqeanit, Hong Liang. Gjatë bisedës, zoti Lambert shprehu shqetësime të thella në lidhje me stërvitjet ushtarake të ushtrisë kineze në ngushticë dhe rreth Tajvanit./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →