VOA: Cila do të jetë politika për Lindjen e Mesme nëse Kamala Harris fiton zgjedhjet?

voa cila do te jete politika per lindjen e mesme nese kamala harris fiton zgjedhjet





































Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mirëpritën shpëtimin e një pengu izraelit të mbajtur nga Hamasi, të martën. Ata gjithashtu thanë se po punonin për të arritur një marrëveshje për armëpushimin në Gazë.

Kamala

Megjithatë, edhe nëse arrihet një marrëveshje, administrata e ardhshme e Shteteve të Bashkuara do të trashëgojë problemin e tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, njofton mbi politikën e mundshme të Uashingtonit nën Presidenten Kamala Harris nëse ajo fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Izraeli kreu një tjetër sulm vdekjeprurës në një kamp refugjatësh në Gazë, ndërsa negociatorët përpiqen të arrijnë një marrëveshje armëpushimi në këmbim të lirimit të pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.

Një prej pengjeve u shpëtua të martën.

“Farhan Alkadit i urojmë mirëseardhjen në shtëpinë e tij. Përgëzoj ushtrinë izraelite dhe shërbimin e inteligjencës Shin Bet për një tjetër operacion të suksesshëm shpëtimi. Ne po punojmë pandërprerë për të kthyer të gjithë pengjet tanë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Për këtë çështje foli edhe Nënpresidentja Kamala Harris teksa pranoi emërimin e Partisë Demokratike si kandidate për president, javën e kaluar.

“Unë dhe Presidenti Biden po punojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte në mënyrë që Izraeli të jetë i sigurt, pengjet të lirohen, vuajtjet në Gazë të marrin fund dhe populli palestinez të mund të realizojë të drejtën e tij për dinjitet, siguri, liri dhe vetëvendosje”, tha zonja Harris.

Veç mandatit të saj si Nënpresidente, zonja Harris nuk ka përvojë tjetër në politikën e jashtme.

Këshilltari i saj për sigurinë kombëtare është Phillip Gordon, i cili ka shërbyer nën presidentët demokratë, duke përfshirë Bill Clintonin, Barack Obamën, si dhe Joe Bidenin.

Kjo sinjalizon vazhdimësinë e administratave të mëparshme demokrate.

Kjo përfshinë vazhdimin e mbështetjes ushtarake për Izraelin, një gjë që është konfirmuar edhe nga ish këshilltarja për siguri e zonjës Harris.

“Nënpresidentja dhe presidenti e kanë mbështetur vazhdimin e ndihmave ushtarake për Izraelin, jo vetëm për arsye të marrëveshjes, por kanë përkrahur edhe rritjen e mbështetjes për shkak të nevojave të Izraelit për siguri”, thotë Halie Soifer, e cila tani udhëheq Këshillin Demokratik Herbre të Amerikës.

Ndihma pritet të vazhdojë pavarësisht kërkesave të komuniteteve arabe dhe myslimane si dhe të progresistëve dhe demokratëve të rinj, që duan vendosjen e embargos së armëve ndaj Izraelit.

Nënpresidentja Harris, megjithatë, ka shprehur keqardhje më të madhe ndaj vuajtjeve të palestinezëve se sa Presidenti Biden.

“Ne nuk mund të kuptojmë shumë nga ajo që thotë tani pasi deklaratat e saj kanë qëllim të fitojnë zgjedhjet dhe të mbajnë Partinë Demokratike të bashkuar. Ndërsa demokratët janë të ndarë në dy grupe, njëri që mbështet më shumë Izraelin dhe tjetri që shpreh simpati për palestinezët. Ajo do të vazhdojë të bëjë deklarata sa për të thënë diçka. Pikërisht këtë po bën”, thotë Jonathan Rynhold nga Universiteti Bar-Ilan në Tel Aviv.

Ndryshe nga zoti Biden i cili shpesh thotë se është zionist, zonja Harris, prindërit e së cilës janë imigrantë nga Xhamajka dhe India, mund të jetë më e vëmendshme ndaj qëndrimeve të vendeve të pjesës jugore të globit që përfshinë Amerikën Latine dhe Afrikën.

“Ajo është e vetëdijshme se si ndihet pjesa tjetër e botës për Lindjen e Mesme, për neo-kolonializmin, neo-imperializmin dhe unë me të vërtetë shpresoj që ajo të ketë mundësinë t’i marrë parasysh këto qëndrime nëse bëhet presidente. Kjo është ajo që i duhet politikës së jashtme amerikane për t’u përballur me sfidat përpara, të cilat janë shumë të ndryshme nga sfidat e tre dekadave të fundit”, thotë Natasha Hall nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Nëse ajo fiton në nëntor, zonja Harris do të trashegojë sfidat e paraardhësve të saj, duke përfshirë edhe konfliktin e tejzgjatur në Lindjen e Mesme. Ajo duhet të hartojë politikën e saj të jashtme, një çështje komplekse me rëndësi të madhe, që përfshin interesa të shumta./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →