Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

von cramon nuk ekziston me arsyeja per masat kufizuese te be se ndaj kosoves
von cramon nuk ekziston me arsyeja per masat kufizuese te be se ndaj kosoves

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, nuk sheh më arsye që Bashkimi Evropian të vazhdojë t’i mbajë në fuqi masat kufizuese ndaj Kosovës. Kosova, siç thotë ajo, tashmë e ka bërë pjesën e saj të detyrave për ta shtensionuar situatën në veri.

“Arsyeja për masat kufizuese nuk ekziston më. Kosova ka bërë pjesën e saj për të depërshkallëzuar situatën në veri që nga maji 2023. Dhe, për më tepër, masat në fuqi nuk janë proporcionale që nga shtatori i vitit të kaluar nga sulmi në Banjskë. Parlamenti Evropian ka kërkuar qartë dhe me shumicë dërrmuese heqjen e masave dhe unë personalisht e mbështes heqjen e masave menjëherë”, ka thënë Von Cramon.

Ajo ka theksuar se topi tash është “në fushën e BE-së”. “Për sa më përket mua, nuk ka asgjë tjetër për t’u bërë nga pala e Kosovës në këtë drejtim- topi tani është në fushën e BE-së”,është shprehur ajo. Von Cramon ka konsideruar se “referendumi” i 21 prillit ishte mundësi e mirë për qytetarët serbë që ta rimarrin kontrollin e qeverisjes lokale, mirëpo ata nuk e shfrytëzuan atë.

“Proceset në veri të Kosovës që nga prilli i kaluar kanë qenë shumë të dhimbshme dhe të dëmshme për besimin e ndërsjellë ndërmjet qeverisë dhe komunitetit lokal serb. Ky referendum ishte mundësia që serbët të rimarrin kontrollin e qeverisjes lokale, por kjo mundësi fatkeqësisht u humb dhe më vjen shumë keq”, ka thënë von Cramon për KALLXO.com.

Pavarësisht që këtë e thonë edhe autoritetet në Kosovë, BE ka deklaruar se rezultati i procesit të votimit më 21.04.2024, në katër komunat në veri të Kosovës, nuk kontribuon në uljen e tensioneve. BE-ja ka theksuar se ai proces nuk ka ndihmuar në hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, “çka është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve”. Në një përgjigje për portalin, BE ka theksuar se shpreh keqardhje që serbët nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës për t’i zgjedhur kryetarët.

“BE-ja shpreh keqardhjen që serbët e Kosovës në veri të Kosovës nuk e shfrytëzuan mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Pa dhënë detaje për kohën, Stano ka thënë se Këshilli do të diskutojë për masat ndeshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Më 21.04.2024 në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok është organizuar votimi për shkarkimin e kryetarëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë- duke e cilësuar të dështuar këtë proces.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë kërkuar menjëherë heqjen e masave që BE-ja ia ka vënë Kosovës vitin e kaluar me preteksin se nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ulur tensionet në veri. Ndërsa, sipas Qeverisë, pavarësisht rezultatit, obligimi që ka pasur Kosova është përmbushur.

Heqjen e masave e kanë kërkuar edhe partitë opozitare në vend. BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, me arsyetimin se nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në maj të vitit 2023. Asokohe, serbët lokalë protestuan para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kundër kryetarëve të rinj, dhe për pasojë situata u përshkallëzua në dhunë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →