Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar lidhur me ngjarjen që tronditi sot kryeqytetin, ku u vra një 14-vjeçar, si pasojë e një sherri të përgjakshëm në afërsi të shkollës Fan Noli në Tiranë.
Ministria i dërgon ngushëllimet familjes së 14-vjeçarit nxënës i shkollës Fan Noli, teksa kërkon që institucionet ligjzbatuese të kryejnë zbardhjen e menjëhershme të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje.
“Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike e ndodhur sot në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë, ku një konflikt mes tre të miturve çoi në humbjen e jetës së njërit prej tyre, nxënës i shkollës “Fan Noli”. Ngushëllimet tona më të sinqerta i shkojnë familjes së nxënësit që humbi jetën, ndërsa urojmë shërim të shpejtë për nxënësin tjetër. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga institucionet ligjzbatuese që të kryejnë zbardhjen e menjëhershme të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Njoftimi i plotë
Reagim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën nxënësi i shkollës “Fan Noli”
Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike e ndodhur sot në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë, ku një konflikt mes tre të miturve çoi në humbjen e jetës së njërit prej tyre, nxënës i shkollës “Fan Noli”.
Ngushëllimet tona më të sinqerta i shkojnë familjes së nxënësit që humbi jetën, ndërsa urojmë shërim të shpejtë për nxënësin tjetër. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga institucionet ligjzbatuese që të kryejnë zbardhjen e menjëhershme të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut, i bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Arsimit, Pushteti Vendor, komunitetit dhe të gjithë shoqërisë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka marrë në vazhdimësi, dhe është duke zbatuar masa konkrete për të garantuar që procesi i mësimdhënies, në të gjitha shkollat e Shqipërisë, të kryhet në mënyrë sa më të sigurt, të rregullt e me standarte.
Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Sportit është maksimalisht e angazhuar për të siguruar mjedise sa më të sigurta për zhvillimin normal të mësimit në të gjithë Shqipërinë, mbetet gjithmonë thelbësor roli sa më aktiv i të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të policisë së shtetit, institucione arsimore por edhe komuniteti, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmenn.
Sherri i dhunshëm ndodhi në një distancë 150 metra nga shkolla Fan Noli, pas mbarimit të mësimit në këtë shkollë.
Gazetari i News 24, Igli Çelmeta bën me dije se nga këqyrja e kamerave rezulton se në konfliktin e përgjakshëm u përfshinë 5 adoleshentë, 14-vjeçari i vrarë, bashkëmoshatari i plagosur dhe tre autorët e dyshuar.
Njëri prej autorëve është shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjetër janë identifikuar dhe pritet të shoqërohen në polici për tu marrë në pyetje.
Gazetari raporton se sherri mes adoleshentëve dyshohet të ketë nisur fillimisht në rrjete sociale.
Sipas spitalit 14-vjeçari në gjendje stabël por në mbikëqyrje intensive nga mjekët e Traumës, pasi ka marrë plagë të rënda, raporton gazetari.
Pritet njoftim zyrtar nga policia e shetit për të sqaruar rrethanat pasi tashmë janë këqyrur kamerat.
Mësohet se autorët e dyshuar u arratisën drejt zonës së Pazarit të Ri.
“Sherri nisi pas orarit të mësimit në shkollën Fan Noli. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orar të frekuentuar në mes të qytetit…Vetëm një nga autorët është shoqëruar, ndërsa dy të tjerët pritet të shoqërohen në komisariat dhe të merren në pyetje”, tha gazetari.
Ndërkohë që nuk është përcaktuar ende se nga cila shkollë janë të miturit përfshirë në sherr, por dyshohet se janë nga shkolla të ndryshme.
Stafi pedagogjik i shkollës Fan Noli është shprehur i tronditur nga kjo ngjarje e rëndë.