Vrasja e konsullit rus dhe dënimi i Isa Boletinit nga Sulltan Hamiti, ngjarja në Mitrovicë në prill të 1903! Çfarë ndodhi 121 vite më parë

vrasja e konsullit rus dhe denimi i isa boletinit nga sulltan hamiti ngjarja ne mitrovice ne prill te 1903 cfare ndodhi 121 vite me pare





































isa bletiniSYL UKSHINI

PJESA E PARË

Para 121 vitesh ndodhi një bela e madhe në Mitrovicë, e cila do t’i shkaktonte kokë dhembje të mëdha Sulltan Abdyl Hamitit, i cili mori të gjitha masat dhe i bëri koncesione carit rus vetëm për qetësimin e situatës në këtë qytet kosovar. Por, edhe pse sulltani e largoi Isa Boletinin nga Mitrovica dhe dënoi me vdekje atentatorin shqiptar të konsullit rus, situata mbeti edhe më tej kritike. Por, as sulltani osman dhe as valiu i Kosovës apo ndonjë palë e tretë e përfshirë në këtë rajon nuk do të mund të imagjinonte se 120 vjet më vonë në Mitrovicë dhe rrethinë situata do mbetej edhe më tej “shpërthyese” dhe problematike”.

Derisa organizatori/ vrasësi i policit shqiptar të Republikës së Kosovës mbetet i strehuar në Serbi, BE-ja, përmes zëdhënësit të saj Peter Stano, bënë thirrje që ura mbi lumin Ibër, të cilin në kohën e lashtë banorët e quanin Ujëbardhë, të qëndrojë e mbyllur si “rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike”. Nëse heqin datat dhe emrat e protagonistëve, krijohet përshtypja se ndodhemi akoma në telashet e pranverës së vitit 1903, kur në këtë rajon strategjik shqiptar zhvillohej një diplomaci konfrontuese midis fuqive evropiane dhe rajonale, gjë e cilat del në pah nga dimensioni që mori çështja e hapjes së konsullatës ruse dhe më pas edhe nga aktiviteti permanent propagandistik edhe antishqiptar i konsullit Shqerbin në mesin e popullatës ortodokse serbe në rrethinën e Mitrovicës.

KËRKESA PËR INTERNIM TË ISA BOLETINIT DHE VRASJA E KONSULLIT RUS

Viti 1903 është një pikë kthese për zhvillimet në Vilajetin e Kosovës. Zhvillime të rëndësishme që ndodhën në rajon në këtë kohë, të tilla si miratimi i Programit të Reformës së Mürzsteg (1903), Kryengritja e Ilindenit, por pa dyshim ngjarja më pikante ishte vrasja e konsullit rus në qytetin e Mitrovicës, në veri të Vilajetit të Kosovës, prej nga vinin provokimet e bandave dhe të shtetit serb. Vrasja e konsullit Shqerbin tensionoi situatën jo vetëm në Mitrovicë, por edhe marrëdhëniet midis Perandorisë Osmane dhe Rusisë.

Në këtë kohë, një peshë të veçantë kishte pjesa veriore e Vilajetit të Kosovës, e cila përmes Sanxhakut të Novi Pazarit krijonte një lidhje strategjike me Vilajetin e Bosnjës, i cili pas Kongresit të Berlinit hyri nën kontrollin ushtarak të Austro-Hungarisë, ngjashëm me protektoratin ndërkombëtar që u vendos aty pas Paqes së Dejtonit.

Në rajonin verior të Vilajetit të Kosovës ekzistonte një rivalitet i madh politik, ekonomik dhe ushtarak ndërmjet fuqisë evropiane austro-hungareze dhe pretendimeve serbe dhe ruse për dominim dhe ushtrim të influencës në Ballkanin Perëndimore. Në këtë kontekst, Vilajeti i Kosovës, sidomos në fillim të shekullit 20, u bë cak i orekseve hegjemoniste territoriale serbe. Krahas pranisë së fuqishme të klerikëve serbë dhe rusë në Vilajetin e Kosovës, gjithnjë e më shumë kishte interesim për hapjen e misioneve diplomatike në territorin e Kosovës: në Shkup, Prizren, Prishtinë dhe në Mitrovicë.

Për më tepër, sipas dokumenteve osmane të, Mitrovica konsiderohej zemra e Shqipërisë në atë kohë për shkak të lidhjes hekurudhore me Pejën, Shkupin, Yeni Pazarin, Prishtinën dhe Prizrenin. Ky rajon kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me Sanxhakun e Novi Pazarit, që ishte një rrip i ngushtë midis shteteve sllave të Serbisë dhe Malit të Zi, që shërbente njëkohësisht edhe si pykë për të pamundësuar bashkimin politik të këtyre dy shteteve dhe për të ruajtur një kalim në Kosovë, Maqedoni dhe, prej këndej, në Egje. Kjo ishte arsye përse AustroHungaria, Rusia, Perandoria Osmane dhe Serbia dëshironin që përmes pranisë politike dhe ushtarake në qytetin e Mitrovicës të shtrinin influencën e tyre në këtë rajon strategjik.

Në kontekstin e ruajtjes së status quo-së në rajon, Rusia e mori në konsideratë hapjen e një konsullate në Mitrovicë në përgjigje të idesë se interesat e veta ishin lënë në hije nga iniciativat e Austro-Hungarisë, rivale të saj në rajon. Duke e marrë në konsideratë reagimin e dhunshëm të shqiptarëve, që kishte të ngjarë të përkeqësojë situatën në mënyrë të pakontrolluar, guvernatori i atëhershëm i Kosovës në përgjigjen për konsullin rus në Shkup, vuri në dukej të metat e hapjes së konsullatës ruse në Mitrovicë, duke sqaruar se emërimi i një konsulli atje nuk ishte i përshtatshëm për shkak të faktit se Mitrovica ishte një vend i vogël, ai, gjithashtu, paralajmëroi se hapja e një konsullate atje do të ishte e privilegjuar për shtetet dhe qeveritë fqinje, si dhe i shkroi nuk kishte asnjë konsull të ndonjë shteti në Mitrovicë.

Ndërsa autoritetet osmane kërkuan që largimi i konsullit të shtyhej derisa shqiptarët të qetësoheshin, gjenerali që përfaqësonte Serbinë në Stamboll këmbënguli në lëvizjen e Shqerbinit në Mitrovicë sa më shpejt të ishte e mundur. Edhe serbët lokalë u përpoqën të mobilizoheshin nga Serbia për konsullatën ruse në Mitrovicë. Gjithashtu, në një telegram të koduar të dërguar në Ministrinë e Brendshme nga Kosova, raportohej se konsulli serb i Prishtinës kishte organizuar një mbledhje të pleqve dhe anëtarëve të këshillit shpirtëror nga fshatrat e rrethinës së Kolashinit në Mitrovicë për të hartuar një dokument që mbështeste hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë, pa njoftuar autoritetet lokale.

Rusia, krahas insistimeve për hapjen e Konsullatës së saj në qytetin e Mitrovicës, kërkonte nga Porta e Lartë edhe një kusht të madh, dërgimin e Isa Boletinit në internimi, për shkak se ai kur u dëgjoi lajmi për ardhjen e konsullit rus nis një lëvizje të organizuar kundër hapjes së misionit konsullor rus në qytetin e tij. Ky udhëheqës i njohur shqiptar në këtë rajon, gjithashtu, mobilizoi njerëzit e Novi Pazarit duke i dërguar një telegram qeverisë osmane se ata nuk e mirëprisnin ardhjen e një konsulli rus. Kjo ishte arsyeja përse guvernatori osman i Kosovës ishte i bindur se hapja e konsullatës ruse do të ishte e mundur vetëm pasi disa individë të largoheshin nga rajoni. Faktori Isa Boletini duhej të merrej seriozisht.

Në anën tjetër, pala ruse do e ngrinte shqetësimin për mospërmbushjen e premtimit të dhënë nga shteti osman për internimin e Isa Boletinit nga Mitrovica dhe dhënia e akreditimit për konsullin e emëruar. Në të njëjtë kohë, shteti rus paralajmëroi se prandaj, Rusia kërcënonte se mosrealizimi i këtyre kërkesa do të thoshte ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike me shtetin osman. Pas këtij kërcënimi, Isa Boletini do të largohej nga Mitrovica për në Stamboll, jo me metoda ushtarake, por me bindje, dhe ai do t’i jepej një detyrë prestigjioze nga Sulltani në lidhje me mbrojtjen e tij, por trazirat shqiptare në rajon nuk mundën të parandaloheshin.

Sulltan Abdul Hamiti, gjithashtu, i udhëzoi zyrtarët të bënin atë që ishte e nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e ngjarjeve. Kur Stambolli të kuptoi se nuk do të jetë në gjendje të parandalojë hapjen e konsullatës ruse, u përpoq të vonojë hapjen sa më shumë që të jetë e mundur, por në fund u pajtua për fillimin e punës së konsullit rus në Mitrovicë. Shqerbin më në fund mbërriti në qytetin e Mitrovicës më 26 janar 1903 dhe menjëherë filloi aktivitetet e tij, duke vizituar fshatrat me popullatën ortodokse serbe në fshatrat përreth qytetit. Sipas një dokumenti osman, një aktivitet i tillë i konsullit rus Gregory Shqerbina kishte ngjallur shqetësimet e popullsisë shqiptare në rajon. Sipas Edith Durham, besohet se konsulli rus, i cili ishte në mesin e trupave osmane, personalisht qëlloi dhe vrau shumë shqiptarë dhe madje komandoi edhe baterinë e artilerisë ormane që ishte angazhuar për të shtypur një revoltë shqiptare.

Thuhet se kjo sjellje e konsullit rus i kishte acaruar shqiptarët në ekstrem dhe në shenjë hakmarrje në mars të vitit 1903, deri ai po shëtiste jashtë qendrës së qytetit, ushtari osman Ibrahim bin Halid, e qëlloi për vdekje. Burimet shqiptare thonë se ushtari osman Ibrahim bin Halid ( Ibrahim Haliti), ishte nga fshati Lashincë i rrethit të Gjilanit.

Kjo vrasje e konsullit rus ishte dëshmia më e mirë se përkundër gatishmërisë së Portës së Lartë për t’i bërë koncesione shtetit perandorak rus, situatë në Mitrovicë mbeti konfrontuese epiqendër e rivaliteteve midis shteteve fqinje dhe atyre evropiane. Kjo duket qartë edhe nga reagimi i skajshëm i Serbisë ndaj njoftimit të kontit austriak Aehrental, ministër i Jashtë, për ndërtimin e hekurudhës së sanxhakut, e cila do të kalonte nëpër qytetin e Mitrovicës, ku jeta ishte e mbushur me rreziqe dhe pasiguri dhe ku gjatë historisë telashet midis shqiptarëve dhe serbëve e tërhoqën vëmendjen e opinionit publik më shumë se gjithandej në Kosovë.

MURI I BERLINIT DHE PËRPJEKJA SERBO-RUSE PËR NDARJEN E VERIUT TË KOSOVËS ME 1999

Me ngritjen e befasishme të Murit të Berlinit në gusht 1961, ndarja gjermane u çimentua – në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe Lufta e Ftohtë arriti në pikën kritike. Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania Lindore (RDGJ nuk kishin zgjidhje tjetër për të ndaluar fluksin e refugjatëve nga Gjermania Lindore në Perëndim. Në vitet e mëparshme kishin ikur tre milionë qytetarë, shpesh të rinj të kualifikuar, të cilët ia kthyen shpinën socializmit që ekzistonte në të vërtetë në tokën gjermano-lindore. SHBA-të reaguan me kujdes ndaj ndërtimit të murit. Pika e kontrollit Charlie – Kalimi kufitar në Friedrichstrasse ishte një simbol i dimensionit ndërkombëtar të konfliktit të Berlinit. Kur Berlini Lindor filloi ndërtimin e murit, shumë prisnin përfshirje më të madhe të SHBA-së. Por administrata Kennedy dhe politikanët gjermanë reaguan me maturi. Ata e dinin: bota ishte në prag të një lufte të re bërthamore.

Edhe në qershor të vitit 1999 bota ishte të një konfrontim të madh SHBA-Rusi, kur kreu ushtarak i Rusisë po bënte përpjekje që në mënyrë të njëanshme të krijonte në sektor ushtarak rus nga lumi Ibër e tutje. Milosheviçi edhe pse kishte pranuar Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të Kumanovës, po lëvize të gjithë gurët për ndarjen e Kosovës. Në fakt, në kohën kur ende po vazhdonin bombardimet e NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe, diplomacia ruse kishte filluar presionet për një sektor rus paqeruajtës në veri të Kosovës. Më vonë Presidenti finlandez Ahtisaari i Finlandës ka pohuar se përpjekja ruse për të kapur bazën ajrore të Sllatinës ishte krijuar për të mundur ndarjen e Kosovës si pjesë e një marrëveshjeje sekrete me Millosheviçin.

Ai këmbëngulte se asnjë shpjegim tjetër nuk përfshin plotësisht ngjarjet konfuze të atyre ditëve dramatike. “Unë jam i bindur se ishte rënë dakord midis forcave të armatosura ruse, si dhe shërbimeve të inteligjencës dhe udhëheqjes jugosllave që Rusia të merrte kontrollin e pjesës veriore të Kosovës dhe të formonte një sektor të vetin.” Ahtisaari pohon se ky plani sekret shpjegon arsyen përse Millosheviqi pranoi marrëveshjen e paqes të cilën ai dhe Viktor Chernomyrdin ia kishin dorëzuar në Beograd, miratoi ofertën e paqes që ai solli në Beograd dhe pse rusët punuan për të ndaluar bisedimet ushtarako-teknike për të blerë më shumë kohë.

Një pretendim i tillë serb mund të kuptohet edhe nga qëndrimi që përfaqësonte asokohe presidentit kroat Franjo Tugjman, i cili në një takim me ambasadorët e të G-8 në Kroaci në Zagreb më 22 maj 1999, pati deklaruar se f”orcat serbe duhet të tërhiqeshin n në pjesën veriore të Kosovës, ku duhet të vendoseshin edhe trupat e huaja, duke përfshirë njësitë ushtarake ruse. Ndja këtij propozimi të presidentit kroat pati reaguar e përditshmja e pavarur “Novi List”, e cila akuzoi se ideja e tij përbënte “një marrëveshje të Jaltës” ose ndarje të Kosovës.

Dështimi rus për të vendosur një vijë ndarëse mbi lumin Ibër përmes krijimit të një sektori rus, ishte pa dyshim meritë e shkathtësisë diplomatike të zëvendëssekretarit amerikan Strobe Talbott dhe ekipi i tij, të cilin Sekretarja Medlin Albright e kishte dërguar në Moskë për finalizimin e detajeve të përfshirjes së Rusisë në KFOR. „Uashingtoni këshilloi mençur Strobe Talbotin t’i zhyste rusët në diskutim dhe t’i mbajë aty derisa sa të miratohet rezoluta një Nju Jork,” thotë Wesly Clark, i cili po ashtu ishte kundërshtari më i madh që rusëve t’u jepet një sektor i veçantë. Por, meqë Rezoluta e OKB-së nuk e qartësoi rolin e Rusisë brenda KFOR-it, ekipi rus nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes Sergei Ivanov me ushtarakët e lartë Anatoli Kvashnin, Leonid Ivashov, gjenerali Ivashov dhe Viktor Zavarzin dhe këshilltari politik Vladimir Putin ia dolën dinakërisht të fusnin në Prishtinë e më pas në bazën ushtarake të Sllatinës kontingjentin e trupave ruse të dërguara nga Bosnja.

Kjo situatë kritike nxiti angazhimin urgjent të presidentit amerikan Bill Clintoin, zëvendëspresidentit Al Gore, sekretares Medline Albright, Sekretari të Mbojtjes Ëilliam Cohen gjeneralëve Hug Shelton, Ëesly Clark dhe të shumë diplomatëve dhe ushtarakëve të tjerë amerikanë, të cilën me vendosmëri e dështuan plani serbo-rus për ndarjen e Kosovës. Talbot i tha ministrit rus të Mbrojtjes: “Nuk mund të kemi ndarje. Synimi ynë nuk është ta ndajmë Kosovën, por sapo të vendosim një vijë, kemi ndarje. Të gjithë serbët do të derdhen në sektorin rus”. Ndërsa kryeministri i ri, Sergei Stepashin, i cili kishte punuar në nivele të larta në shërbimet e inteligjencës ruse, në takim me Talbotin theksoi: “Duket se ne kemi shmangur një përshkallëzim në Kosovë ashtu siç kemi shmangur një përshkallëzim të tillë në krizën e Kubës shumë kohë më parë.” Në anën tjetër, lidershipi i BE-së në Samitin e Köln vazhdonte të merrte për vete meritat e përfundimit të luftës në Kosovë.

Pas shumë netëve të gjata dhe negociatave të vështira të pafundme, SHBA dhe Rusia me 18 qershor 1999 arritën marrëveshjen për pjesëmarrjen e trupave ruse në KFOR. Përfundimi: Rusisë nuk do t’i jepej asnjë sektor m[ vete. Trupat ruse do të shpërndaheshin në mes të 45,000 paqeruajtësve të NATO-s dhe do t’i përgjigjeshin komandantëve kombëtarë të NATO-s. Konfigurimi përfundimtar paqeruajtës, ishte shumë i ngjashëm si në Bosnjë. Ndoshta për çështje balance, veriu i takoi Francës./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →