Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj u shpreh lidhur me konfliktin mes të rinjve sot në Fier në studion e “Open”, se duhet të ketë veprime konkrete nga autoritetet përkatëse për të parandaluar këto raste.
Ai u shpreh se duhet që të ketë një qarkullim të informacioneve mes autoriteteve të ndryshme si një masë për rrallimin e këtyre ngjarjeve kriminale.
“Kemi gjithë këtë kohë që politikisht dëgjojmë nga ministri i Brendshëm për sigurinë në shkolla dhe perimetrin e sigurisë. Duhet të shohim sa veprime konkrete ka. Kemi adoleshentë që bëjnë konflikte në rrjetet sociale dhe adoleshentë që mbajnë thikë nëpër xhepa. Territori duhet të kontrollohet nga autoritetet që e kanë detyrë.
Autori i dyshuar nuk besoj se ka qenë një fëmijë engjëll që thjesht mori një thikë dhe kreu atë veprim. Duhet të qarkullohet dhe të kontrollohet informacioni policor. Në një sherr ku përfshihen 10 adoleshentë nuk mund të them se policia nuk mund të marrë informacion”, u shpreh ai.
Avokati Redi Ramaj nga ana tjetër u shpreh se rrjetet sociale nga të cilat janë nisur disa konflikte dhe krime, janë të mbushura me armë, bullizim dhe dhunë.
Ramaj u shpreh se dhuna është kthyer në një mjet normal të jetesës së të rinjve, të cilët ai theksoi se nuk kanë as frikë të konfliktohen në qendër të qytetit pa pasur as frikë nga arrestimi apo pasoja të tjera.
“Rrjetet sociale janë të mbushura me armë, bullizim, dhunë, etj. Adoleshentët mësojnë kryesisht në rrjetet sociale atë pjesën e keqe. Shumë krime kohëve të fundit kanë nisur nga rrjetet sociale. Shohim të rinj që në një konflikt momental shkojnë në qendër të qytetit pa pasur asnjë frikë apo ndrojtje se dikush mund t’i arrestojë. Dhuna është bërë një mjet normal i jetesës së të rinjve. Ekspozimi i disa gjërave që ata i quajnë të mira, si paraja, armët, të jenë më të fortë, të vishen më shtrenjtë dhe kjo u duket si jeta reale, por kjo është jeta që serviret nga disa platforma dhe një shoqëri që ka problem në ekspozimin e këtij lluksi dhe nuk marrin si model diçka që është më e mundimshme apo më e vështirë për t’u arritur”, u shpreh ai.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co