PODUJEVË – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim ndaj të akuzuarit Naim Smajli, i akuzuar për vrasjen e djalit të tiji E.S., duke e dënuar me dënim prej 25 vite burgim. Aktgjykimi ndaj Smajlit u shpall të premten nga gjykatësja Alltën Murseli.
Smajli akuzohet se ka vrarë djalin e tij E.S., në vitin 2022 në fshatin Bajçinë të Podujevës, për çështje pronësore. Gjykatësja Murseli tha se për veprën penale “Vrasje e rëndë”, Smajli dënohet me 24 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje dy vite burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 25 vjet burgim, raportojnë mediat e Kosovës.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Atij i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.
I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës 200 euro për procedurën gjyqësore dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit. Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Smajli.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 dhjetor 2022, Naim Smajli rreth orës 17:00 në fshatin Bajçinë, Komuna e Podujevës për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin E.S.
I akuzuari Smajli, sipas aktakuzës, në një distancë të afërt ka shtënë në drejtim të djalit të tij, tani të ndjerit E.S. Me këto veprime, Smajli akuzohej nga Prokuroria për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co