NGA ARIAN GALDINI
Sa luks të madh që ka Shqipëria. Ka njerëz që ankohen por nuk revoltohen, ka njerëz që protestojnë por nuk besojnë, ka njerëz të zhgënjyer pa i gënjyer askush, ka njerëz antisistem që janë çdo ditë në simbiozë me sistemin etj.. Partitë mburren se kanë dhjetëra mijëra anëtarë, por mezi mbledhin disa dhjetëra protestues. Udhëheqësit kanë qindra mijëra apo miliona ndjekës, por krejt pak të besuar e besues.
Vendi ynë ka qindra parti, por pothuajse aspak pluralizëm. Njerëzit ankohen pse ka këtu në tokën e shqipeve 700 parti, apo siç thonë nga 1 parti për çdo banor në një vend të vogël me 3 milionë banorë, por nuk u bën përshtypje që Shqipërinë po e sundojnë prej 1944 vetëm 3 parti. Shumë njerëz paradoksalisht ankohen për 697 partitë që nuk kanë asgjë në dorë, që nuk mbahen nga Buxheti i Shtetit, nuk marrin asnjë qindarkë nga taksat e shqiptarëve, nuk kanë pasur kurrë asnjë pushtet madje as pushtetin e tundësit të derës, por nuk gjejnë asnjë arsye për ta parë të vërtetën në sy se Shqipëria prej 1944 është sunduar nga vetëm 3 parti, PPSH që u bë PS, PD dhe PL dhe nga 6 njerëz, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta dhe Edi Rama.
Shumë njerëz cinikisht ankohen pse krijohen parti të reja, pse ekzistojnë parti të vogla apo alternative, ama nuk kanë asnjë shqisë reagimi ndaj 3 partive që nuk lëvizin nga pushteti e kontrolli absolut i gjithçkaje në këtë vend prej 1944 e deri sot. Ngado lexon e dëgjon shpoti e tallje, zemëratë e mllef, se përse dikush guxoi të krijonte partinë e radhës, ndërkohë pak kund lexon e dëgjon për problemin e vërtetë që ka Shqipëria, pra faktin se prej 1944 deri në 2024 është sunduar e marrë peng nga vetëm 3 parti, 6 udhëheqës dhe një klub oligarkësh mes tyre. Kush guxon të krijojë parti, na bezdis, na shqetëson, na lodh, është hajduti i radhës të cilin e dënojmë paradhënie se e paracaktojmë që edhe ai kërkoi copën, llokmën dhe që të vjedhë e bëjë si të tjerët.
Ndërsa këta udhëheqësit legjendarë të 3 partive historike, të cilat janë prej 80 vitesh të vetëm e të pangacmuar të sundojnë pa asnjë konkurrencë, mund të bëjnë ç’të duan. Këtyre u lejohet gjithçka. Këtyre u justifikohet gjithçka, se siç duket, qenkan të pikuarit e Zotit a ndoshta e kanë me tapi Shqipërinë. Kur shkrova pak më lart se ne kemi njerëz të zhgënjyer pa i gënjyer askush, kisha ndërmend faktin se për mua e sipas meje, tashmë pas 33 vitesh, askush nuk mund të thotë se dikush nga udhëheqësit e pagabueshëm arrin të gënjejë ndonjë qytetar. Nuk ekziston asnjë qytetar në Shqipërinë e 2024 që nuk e ka të qartë kristal se kush janë Sali Berisha, Edi Rama e Ilir Meta.
Nuk janë të gënjyer fare ata që mbështesin në vitin 2024, Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën. Aspak! E kanë me zgjedhje. Kush mbështet sot Sali Berishën, Edi Ramën apo Ilir Metën nuk mund të thotë kurrsesi se nuk e di kush janë këta e se po i mbështet se i beson e gënjehet, që nëse gjërat i dalin ndryshe nga sa i ka menduar, paskëtaj të zhgënjehet. Jo! Të gjithë ata që sot mbështesin Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën nuk janë të gënjyer. Janë vendosmërisht dhe me vetëdije të rreshtuar. A janë shumica e shqiptarëve këta të rreshtuarit? Nuk di ta them këtë. Mund të them që janë grupet kompakte më të strukturuara dhe më të organizuara. Ndaj për mua çështja e vulës dhe logos së PD nuk ka asnjë ngjyrë emocionale apo poetikë lirie, demokracie a opozitarizmi. Gjykata e Apelit i ka dhënë zgjidhje çështjes së vulës së PD-së, e njëkohësisht i ka vënë vulën historisë së Shqipërisë së pas 1944.
Ligjërisht, të rreshtuarit pas Sali Berishës kanë konfirmimin e prerë të gjykatës, se mund të veshin uniformën me logon e flamujt e PD dhe të hyjnë në ndeshje edhe njëherë tjetër si çdo herë në 33 vitet e fundit me në krye liderin e tyre historik, përballë PS dhe Edi Ramës. Mendojeni pak edhe njëherë shakanë historike, kur partia liberatore që rrëzoi diktaturën komuniste dhe shtatoren e diktatorit mizor Enver Hoxha, nëse ia sheh dhe analizon historinë del kthjelltazi si një parti që e ndërron liderin historik me një lider tranzitor vetëm kur ai historiku shkon në Presidencë, ose në lidership sabatik. PD ka zgjedhur kryetar me emër tjetër vetëm kur Sali Berisha u zgjodh President Republike dhe kur zgjodhi të bëhej lider sabatik nga kulla e Ulajve. Më tej, PD dhe Sali Berisha janë bërë i njëjti entitet. Simbiozë e pandashme dhe fatale. Realisht mund të themi se PD nuk ka as kuptim e as jetë pa Sali Berishën.
Në këtë pikë, Gjykata e Apelit ka marrë vendimin më natyral me ligj e Kanun. Pyetja që më lind e më shqetëson thellësisht është kjo: A është kjo Shqipëria që duam? A është Shqipëria që duam, vendi ku partia e lindur në 8 nëntor 1944 dhe e transformuar në 11 qershor 1991, ka arritur të ndërtojë cikle lidershipi fuqiplotë nga Enver Hoxha te Ramiz Alia, e nga Fatos Nano tek Edi Rama, ndërsa partia e parë opozitare e lindur në 8 dhjetor 1990 ka vetëm ciklin e plotë të Sali Berishës dhe disa cikle sporadike të abortuara të disa kryetarëve, të cilët edhe vetë nuk e besojnë që u ka rënë lotaria të jenë ca kohë kryetarë part time të partisë së Sali Berishës? Atëherë, çfarë zgjidhi vula? Vulosi faktin historik se cikli i PD është përfundimisht cikli i Sali Berishës.
Sfida që ka Shqipëria sot është po e njëjta si në vitin 1990. A do vazhdojmë me ciklin e partive që nuk ndryshojnë dhe liderëve që nuk lëvizin apo do bëjmë një betejë historike për pluralizëm politik dhe perëndimorizim të vendit tonë? Zgjedhja dhe zgjidhja u takon shqiptarëve e nuk ka lidhje me vulën. Nëse shqiptarët përsëri do të vijojnë të zgjedhin në shumicë partinë e Enver Hoxhës dhe Partinë e Sali Berishës, ish-sekretarit të Partisë së Enver Hoxhës, atëherë le të brohorasim të gjithë: Lavdi PPSH!
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co