Deputeti dhe njëherazi nënkryetari i Rithemelimit të PD, Agron Gjekmarkaj, i ftuar në studion e News24 ka komentuar situatën politike në vend dhe atë brenda opozitës.
Gjekmarkaj u shpreh se çështja e vulës dhe logos së PD po mbahet peng nga gjykata, e cila sipas tij duhet të jepte vendimin prej kohësh pasi kjo situatë favorizon vetëm mazhorancën.
Sa i përket aksionit disa mujor të opozitës, Gjekmarkaj tha se ai përfundoi me zgjidhjen e kërkesave të pakicës parlamentare si edhe me njohjen e “opozitës së vërtetë” nga aleatët ndërkombëtarë.
Ai komentoi edhe arrestin në shtëpi të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke thënë se ai është i vetmi politikan në Evropë sot që mbahet nën arrest pa akuzë dhe pa dënim.
Duke u ndalur te komisionet parlamentare hetimore, Gjekmarkaj theksoi se opozita është vendosur aty për të bërë transparencë për aferat që do të hetohen dhe se nga pikëpamja morale ajo do të jetë një betejë e fituar për opozitën.
Sa i takon Reformës Zgjedhore, deputeti tha se duhet që ajo të reflektojë gjithë vërejtjet e OSBE/ ODIHR përgjatë viteve ndërsa nënvizoi se ka shumë rëndësi krijimi i një qeverie teknike para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, gjë që sipas tij do të arrihet duke nxitur shoqërinë të ushtrojë presion dhe me mirëkuptimin e faktorit ndërkombëtar.
“Në momentet e para mendoj se gjykata ka patur vështirësi dhe është dashur një periudhë qartësie. Kur gjërat u bënë të qarta nuk besoj se kjo sagë duhet të vijojë pafund dhe nuk duhet vetëm paanësi, por dashuri për vendin në mënyrë që opozita të mos mbetet peng pasi ne duhet të përballemi me qeverinë e Edi Ramës. Bonuset e këtij pengu i mban mazhoranca dhe qeveria në një kohë kur gjykata duhet të jepte vendimin prej kohësh. PD duhet të kthehet plotësisht brenda kornizës së saj ligjore dhe t’u përgjigjet qytetarëve dhe mbështetësve.
Unë kam qenë nënkryetar i PD dhe dhashë dorëheqjen për të hapur rrugë që PD të kthehet te bashkimi. E bëra si akt përgjegjësie dhe e pranova sërish pozicionin e nënkryetarit si akt përgjegjësie dhe shans për t’u ri ngritur dhe për t’u përballur me Edi Ramën dhëmbë për dhëmbë e sy për sy.
Në optikën time aksioni opozitar ka qenë 5 muaj rezistence të paepur dhe dinjitoze, e shëndetshme për demokracinë. Këto protesta sollën zgjidhjen e kërkesave të opozitës. Opozita u përball me një rezistencë disa mujore të pazakontë, por konsistente dhe e gatshme të vazhdonte deri në limite, e detyruam qeverinë të tërhiqej dhe parlamenti të kthehej në shinat e Kushtetutës, së bashku me ndërkombëtarët. Kjo është e mira e kësaj proteste, ndërkombëtarët njohën opozitën e vërtetë dhe përpjekjen tonë për rikthimin e rregullit në Parlament. Mjafton që të ndizni televizorin për të parë kush është opozita e vërtetë. Janë numrat ato që vendosin dhe që kanë caktuar qartë kush është opozita shqiptare.
Sali Berisha është sot i vetmi politikan në arrest shtëpie pa akuzë dhe pa dënim. Secili mund t’i bëjë pyetje vetes si mund të konsiderohet arrestimi i tij, kur Kushtetua e mbron deputetin nga çdo vendim gjykatash pa miratim Kuvendi. Kjo ndodhi me Berishën dhe Kuvendi certifikoi atë që gjykata bëri gabim. Berisha është kryetari i PD, ne jemi bashkuar me diversitet, ku na bashkon historia e PD.
Komisionet hetimore do të bëjnë transparencë, opozita është aty për të bërë transparencë për 200 milionë eurot e Sterilizimit dhe dritëhijeve të tjera. Nëse Parlamenti nuk e voton raportin, në fund dilet me dy raporte dhe është çështje vullneti e mazhorancës për të ruajtur eksponentët e saj. Beteja e opozitës do të jetë e fortë dhe nga pikëpamja morale do jetë betejë e fituar.
Sa i përket Reformës Zgjedhore, do doja që ajo të reflektonte vërejtjet e OSBE që shtohet pas çdo procesi zgjedhor që mazhoranca e Edi Ramës ka bërë këto vite. PD duhet të punojë për të futur në Kushtetutë qeverinë teknike para zgjedhjeve, ku besimi mes palëve është masakruar pas përdorimit të krimit për të mundur opozitën. Shqipëria e ka jetike këtë. Nuk do ta arrijmë me luftë, por do kontribuojmë që shoqëria të bëjë presion dhe të kërkojmë kuptim nga aleatët ndërkombëtare për të arritur një qeveri teknike, jo vetëm për këto zgjedhje, por në fundin e çdo mandati”, u shpreh ai.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co