Mesfushori brazilian Kasemiro, ka qenë një nga ata futbollistë të cilët kanë pësuar një transformim të jashtëzakonshëm nga ndërrimi i skuadrave. Një yll te Real Madrid, ku ishte ndër më të mirët e “los blancos”, ai ka qenë vetëm hiaj e vetvetes që kur vendosi t’i bashkohej Mançester Junajtid.
Paraqitjet e tij shpeshherë kanë qenë aq zhgënjyese sa trajnerët e kanë zëvendësuar në pushimin e ndeshjes dhe tashmë është e qartë se ky është një tjetër dështim epik i merkatos së klubit anglez. Për më tepër, rroga prej 300 mijë paund në javë, e bën shumë më të vështirë situatën dhe sipas mediave angleze, klubi kërkon me çdo kusht t’i gjejë një sistemim në janar brazilianit.
Mançester Junajtid u mundua që ta shiste që në verë, por nuk gjeti një klub të gatshëm për të larguar lojtarin, të cilit i përfundon kontrata në verën e vitit 2026. Ofertat nga Arabia Saudite nuk janë konkretizuar, ndaj Mançester Junajtid po shqyrton çdo pistë të mundshme që do ta “shpëtojë” nga barra e rëndë financiare që ka marrë përsipër me lojtarin.
PANORAMASPORT.AL