Zbardhet raporti i qeverisë: Mbi 613 milionë euro shkuan për ndihmat shtetërore në pesë vite! Nga grantet, përjashtimi nga taksat apo rimbursimi

zbardhet raporti i qeverise mbi 613 milione euro shkuan per ndihmat shteterore ne pese vite nga grantet perjashtimi nga taksat apo rimbursimi



































Këshilli i Ministrave ka miratuar raportin vjetor për ndihmat shtetërore të 2023-it. Sipas këtij raporti, shuma e ndihmave shtetërore të dhëna në Shqipëri gjatë viteve 2019–2023 është vlerësuar në rreth 63.099,26 milionë lekë ose 613.93 milionë euro, prej të cilave 8.565,5 milionë lekë ose 83.34 milionë euro që përfaqësojnë 0.37% të PBB-së, janë dhënë në vitin 2023.

kryeministria1

Në totalin e ndihmës së dhënë për vitin 2023, vendin kryesor (rreth 61.58%) e zënë ndihmat horizontale, ndërsa ndihma sektoriale përbën 38.42% të ndihmës gjithsej. “Pjesa më e madhe e skemave që japin ndihmë shtetërore nuk e tejkalon kufirin “de minimis” të Bashkimit Evropian dhe si të tilla, nuk paraqesin problem në këndvështrimin e tregtisë ndërkombëtare.

Instrumentet kryesore të ndihmës shtetërore në Shqipëri gjatë vitit 2023 janë grantet dhe përjashtimi nga taksat, rimbursimi apo reduktimi i shkallës tatimore. Në zbatim të nenit 32, të ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, raporti vjetor për ndihmat shtetërore për vitin 2023 do t’i përcillet Komisionit Evropian”, – thuhet në vendimin e qeverisë që ka hyrë në fuqi ditën e djeshme menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

SI JANË NDARË NDIHMAT?

Në mënyrë më të detajuar ndihma shtetërore horizontale përfshin së pari ndihmën për punësim. Ndihma për punësim është e autorizuar me vendimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore nr. 100, datë 16.10.2020, “Autorizim i ndihmës shtetërore ‘Programi i nxitjes së punësimit nëpërmjet punësimit, formimit në punë dhe praktikave profesionale’”.

“Në bazë të VKM-së nr. 17, datë 15.1.2020, “Për procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit nëpërmjet punësimit, formimit në punë dhe praktikave profesionale”, i ndryshuar, skema ka pasur impaktin si vijon: Programi i punësimit: Në këtë program u planifikuan 57.745.841 lekë dhe u realizuan fakt 56.325.549 lekë ose 98 % e fondit të planifikuar. Nëpërmjet këtij programi kanë përfituar gjithsej 153 subjekte, të cilët kanë punësuar 363 punëkërkues të papunë”, – thuhet në vendim. Një tjetër ndihmë është ajo për trajnim. Ndihma për trajnim është e autorizuar me vendimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore nr. 100, datë 16.10.2020, “Autorizim i ndihmës shtetërore ‘Programi i nxitjes së punësimit nëpërmjet punësimit, formimit në punë dhe praktikave profesionale’”.

“Programi i formimit nëpërmjet punës: Për këtë program u planifikuan 13.334.549 lekë dhe u realizuan fakt 12.873.326 lekë ose 97% e fondit të planifikuar. Nëpërmjet këtij programi kanë përfituar gjithsej 106 subjekte, të cilët kanë punësuar 138 punëkërkues të papunë. Programi i praktikave profesionale: Për këtë program u planifikuan 18.369.584 lekë dhe u realizuan fakt 15.885.376 lekë ose 87 % e fondit të planifikuar. Nëpërmjet këtij programi kanë përfituar gjithsej 125 subjekte, të cilat kanë punësuar 306 punëkërkues të papunë”, theksohet në raport.

Sakaq, Ndihma për sportin është e autorizuar me vendim të Komisionit të Ndihmës Shtetërore nr. 54, datë 26.1.2015, “Për skemën ekzistuese të mbështetjes me grante nga buxheti i shtetit në sektorin e sportit”. Për këtë skemë ndihme, objektivi kryesor i së cilës është nxitja e kulturës së sportit, edukimit të sportit dhe aktiviteteve fizike, duke rritur pjesëmarrjen e shtetasve në sport, për vitin 2023 janë dhënë 915.87 mln lekë.

“Ndihma për nxitjen e kulturës: Ndihma për kulturën është e autorizuar me vendim të Komisionit të Ndihmës Shtetërore nr. 56, datë 4.6.2015, “Autorizim i ndihmës shtetërore për veprimtaritë, të mirat dhe shërbimet kulturore”. Në vitin 2023 ndihma shtetërore për nxitjen e kulturës është në vlerën 156.55 mln lekë në formën e mbështetjes financiare me fonde publike për 172 projekte në programin e artit dhe kulturës. Ndihma operacionale: Në këtë kategori përfshihen të dhëna të ndihmës shtetërore të autorizuara me vendim të Komisionit të Ndihmës Shtetërore nr. 24, datë 2.5.2008, “Për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për rimbursimin e akcizës së lëndëve djegëse, të konsumuar në serrat me ngrohje për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale, të cilat përdoren për nevojat teknologjike të prodhimit”.”, thuhet në vendim.

Sakaq, për vitin 2023 dhënësit dhe zbatuesit e ndihmës shtetërore raportojnë ndihmën shtetërore në shumën 233.15 mln lekë, nëpërmjet skemës së rimbursimit të akcizës së lëndëve djegëse, të konsumuar në sertat me ngrohje për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale me përfitues 6 subjekte. Ndihma shtetërore për kërkim dhe zhvillim është dhënë për ndërmarrjet që nënshkruajnë “marrëveshje hidrokarburesh” dhe nënkontraktuesit e tyre, duke iu ofruar një përjashtim nga tatimi mbi vlerën e shtuar të të gjithë kontraktorëve dhe nënkontraktorëve për realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure. Në vitin 2023, është raportuar se kompanitë e huaja që kryejnë operacione hidrokarbure në Shqipëri kanë përfituar përjashtime në import (TVSH dhe përjashtime doganore), në shumën 3.864,73 mln lekë.

“Ndihma për SME: Në këtë kategori përfshihen të dhëna të ndihmës shtetërore të autorizuara me vendim të KNSH-së nr. 103, datë 19.7.2021, Autorizim i Ndihmës Shtetërore “Për fuqizimin e grave dhe nxitja e sipërmarrjes”, i ndryshuar. Në vitin 2023, kanë përfituar mbështetje nga skema 20 përfitues në shumën gjithsej 9,5 mln lekë”,- nënvizohet në raport.

NDIHMA SHTETËRORE SEKTORIALE

Në vitin 2023 ndihma shtetërore sektoriale në vlerë absolute është 3,291.21 mln lekë (32.02 mln euro). Pesha për këtë kategori në totalin e ndihmës në vitin 2023 është 38.42 %. Në strukturën e ndihmës sektoriale (vertikale) për vitin 2023, peshën kryesore e zë ndihma për turizmin (75.69%). Ndihma për transportin publik e dhënë nga buxheti i shtetit për mbështetjen e transportit hekurudhor është 490 milionë lekë edhe në vitin 2023. Ndihma për shërbimet publike: Në vitin 2023 ndihma për shërbimet publike është në formën e subvencionit nga buxheti i shtetit të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizime në shumën 310 mln lekë.

Skema e subvencionit është përdorur për likuidimin e detyrimeve ndaj degës së tatim-taksave dhe OSHEE sh.a. Numri i përfituesve për vitin 2023 është 6 shoqëri rajonale ujësjellëskanalizimesh dhe ITUN-ja. Përfituesit më të mëdhenj janë shoqëritë: Durrës me 104.6 mln lekë, Elbasan me 68.48 mln lekë dhe Lezhë me 47.99 mln lekë.

“Në bazë të vendimit të KNSH-së nr. 82, datë 17.5.2018, Autorizim i ndihmës shtetërore ‘Për skemën e incentivave fiskale në sektorin e turizmit’”, ndihma për sektorin e turizmit nga buxheti i shtetit për vitin 2023 është përfituar nga strukturat akomoduse nga reduktimi i TVSH-së nga 20% në 6% për vitin 2023 në shumën 2.376,67 mln lekë për 168 subjekte përfituese. Në bazë të vendimit të KNSH-së nr. 74, datë 12.12.2016, “Autorizim i ndihmës shtetërore nëpërmjet mbështetjes financiare të projekteve në sektorin e turizmit” në vitin 2023 janë dhënë 114,54 mln lekë me 33 përfitues. “Ndihma shtetërore e dhënë nga burime shtetërore, në varësi të llojit (instrumentit) të përdorur, përbën një shpenzim real apo potencial të pasurisë publike duke pasur një efekt në mbledhjen e të ardhurave publike. Në vitin 2023, ndihma shtetërore është dhënë kryesisht në formën e subvencioneve dhe incentivave fiskale. Referuar metodologjisë së përdorur nga BEja, instrumentet e ndihmës shtetërore klasifikohen në: subvencione dhe grante; përjashtimi nga taksat, shtyrja e taksave, ulja e normës së taksave dhe zbritje e kontributit në sigurimet sociale; pjesëmarrja në kapital; hua të buta; instrumente të tjera; garancitë”, – thuhet në raport.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e raportit për ndihmat shtetërore të vitit 2023, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Raporti vjetor për ndihmat shtetërore është hartuar në zbatim të detyrimeve të sanksionuara në nenin 71, pika 5, të MSA-së dhe në marrëveshjen e CEFTA-s 2006, për sigurimin e transparencës ndërkombëtare. Raporti është përgatitur nga Drejtoria e Politikave të Nxitjes së Biznesit, në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) mbështetur në vendimet e Komisionit të Ndihmës Shtetërore për autorizimin e ndihmës shtetërore. Në mënyrën e paraqitjes dhe të analizës së të dhënave në raport është ndjekur metodologjia e Komisionit Evropian.

Të dhënat e përfshira në këtë raport janë raportuar nga zbatuesit e skemave të ndihmës shtetërore të miratuara, sipas vendime të miratuara nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore. Raporti 2023 përfshin të dhëna për periudhën 2014–2023, duke bërë një krahasim të ndihmës shtetërore, përgjatë këtyre viteve, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në raport me ndihmën shtetërore, të dhënë në vendet e BE-së. Raporti jep një përshkrim të objektivave kryesorë, që janë arritur në fushën e ndihmës shtetërore në Shqipëri, si dhe të instrumentet kryesore të përdorura në periudhën 2019–2023.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →