Deputetët e Partisë Demokratike do të bllokojnë rrugët me makinat e tyre. Ky është plani i opozitës, detajet e të cilës u zbuluan nga deputetja Dhurata Çupi.
Në një prononcim për News24, Çupi u shpreh se ka shumë arsye që ata të dalin në protestë, ndërsa ftoi qytetarët që ti bashkohen.
“Makina ime do të jetë në reshtin e parë. Unë jap shembullin time. Nëse unë nuk do isha me makinën time do ishte e padrejtë”, tha ndër të tjera Dhurata Çupi.
Policia tha nje dite me pare qe Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 në disa akse rrugore kryesore në vend, konkretisht: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.