Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Donald Trumpin se përkrah udhëheqësin rus Vladimir Putin, ndërsa paralajmëroi se miliona mund të vdesin pa ndihmën e re të SHBA-së për Kievin.
Udhëheqësi ukrainas foli për CNN në intervistën e tij të fundit televizive amerikane, ndërsa Presidenti Joe Biden përpiqet të thyejë një bllokim në Kongres, ku anëtarët e Partisë Republikane të Trump në Dhomën e Përfaqësuesve kundërshtojnë autorizimin e 61 miliardë dollarëve për Ukrainën.
Sipas pjesëve të intervistës të publikuar të hënën, Zelensky tha se “nuk mund ta kuptojë se si Donald Trump mund të jetë në anën e Putinit”, duke e quajtur atë “të pabesueshme”.
Ndërsa vuri në dukje se Trump, kandidati kryesor republikan për të sfiduar Biden në zgjedhjet e nëntorit, u takua me presidentin rus gjatë mandatit të tij në detyrë, Zelensky tha se ai nuk beson se Trump e kupton Putinin.
“Unë mendoj se Donald Trump nuk e njeh Putinin,” tha Zelensky. “Unë nuk mendoj se ai e kupton se Putini nuk do të ndalet kurrë.”
Trump e ka quajtur ndihmën e kotë dhe ka kërkuar të lidhë debatin për Ukrainën me politikat e Bidenit për emigrantët që kërkojnë të hyjnë nga kufiri meksikan.
JD Vance, një senator republikan i lidhur me Trump, tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih këtë muaj se ndihma e SHBA “nuk do të ndryshojë rrënjësisht realitetin në fushën e betejës”.
Zelensky e ftoi Vance të vizitojë vijën e frontit, duke thënë: “Ai do të kuptojë se miliona njerëz do të vriten” pa mbështetjen e re të SHBA.
Rusia kohët e fundit shënoi fitoren e saj të parë pas disa muajsh në Ukrainë, teksa pushtoi qytetin Avdiivka në rajonin lindor të Donetskut , me trupat ukrainase që thanë se ishin të detyruar të raciononin municionet për shkak të mungesës.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co