Bota

Zëvendëskryeministri i Serbisë: I kam bërë listat e atyre që s’janë të mirëpritur në vendin tonë, nuk më është dashur të pyes Vuçiçin

zevendeskryeministri i serbise i kam bere listat e atyre qe sjane te mirepritur ne vendin tone nuk me eshte dashur te pyes vucicin





































Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se kur ka qenë ministër i Brendshëm dhe drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ka bërë listat e atyre që nuk janë të mirëpritur në Serbi.

vulin vucic

“Listat i kam bërë unë si ministër i Policisë dhe drejtor i BIA-s, bazuar në ligj dhe ndërgjegje. Më vjen keq që nuk u jam përkushtuar më shumë, sepse po shoh se sa njerëz të poshtër janë harruar. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk është pyetur dhe nuk është dashur të pyetet për këtë”, tha Vulin përmes një deklarate të publikuar në ueb-faqen e partisë së tij, Lëvizja Socialiste, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Komentet e tij vijnë në vazhdën e polemikave në opinionin e Serbisë, pasi këngëtarja kroate, Severina Vuçkoviç, u ndalua për disa orë në kufi me Serbinë, për shkak se ishte në “listën e kontrollit”.

Vulin tha se në lista janë persona që kanë kënduar ose folur për Serbinë në një kontekst të keq.

“Në listat që u kam dorëzuar organeve kompetente, ka pasur shtetas të huaj, që kanë ardhur në Serbi për të marrë pjesë në protesta të dhunshme, por edhe narko-bosë – nga Sarajeva deri në Prishtinë e Shkup”, tha Vulin.

Ai shtoi se në lista për “ndalim të detyrueshëm dhe kontroll të shtuar”, ka përfshirë edhe deputetë nga Kuvendi i Malit të Zi, të cilët kanë votuar për Serbinë si gjenocidiale.

Këngëtarja Severina Vuçkoviç u lirua pas disa orësh në kufi, më 25 gusht, por pastaj nuk hyri në Serbi.

“Më pyetën se çfarë mendoj për Srebrenicën, për [operacionin] Stuhia, përse i kam mbështetur demonstratat kundër nxjerrjes së litiumit…”, tha mes tjerash Vuçkoviç pas incidentit.

Ajo shtoi se e do Serbinë, ku protestohet kundër nxjerrjes së litiumit, por se nuk do të shkojë atje derisa në krye të saj të jetë Aleksandar Vuçiç.

Pas reagimit të opozitës në Serbi, organizatave joqeveritare, aktivistëve dhe artistëve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, thanë se Vuçkoviç nuk është arrestuar, por “ndaluar për kontroll” dhe se listat në bazë të të cilave është ndaluar këngëtarja, “ndoshta do të shlyhen në ditët në vazhdim”.

Vulin ishte ministër i Brendshëm i Serbisë nga tetori i vitit 2020 deri në tetor të vitit 2022.

Si drejtor i BIA-s shërbeu nga dhjetori i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023./rel

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts