Komisioni Rregullator në KQZ nuk ka miratuar projektvendimin për disa afate procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë.
Projektvendimi mori 3 vota pro dhe 2 kundër, por duhet të merrte një shumicë prej 4 votash për ta miratuar.
Mbledhja u shoqërua me debate mes anëtarëve të Komisionit Rregullator.
Anëtari Muharrem Çakaj u shpreh se vendimmarrja e KQZ për heqjen e mandatit të Fredi Belerit është e pavlefshme. Sa i takon dekretit të Begajt për shpalljen e zgjedhjeve më datë 4 gusht, Çakaj thotë se akti është i pavlefshëm pasi duhej pritur të kalonte afati për ankimin e vendimmarrjes së KQZ.
Çokaj: Lidhur me aktin që është sjell para komisionit rregullator për zgjedhjet e pjesshme të Himarës që zhvillohen më datë 4 gusht, siç e theksova dhe më parë dhe pasi ma konfirmoi sekretarja e KQZ, më rezulton që akti iniciues që ka çelur siparin e kërkesës së Këshillit të Ministrave dhe dekretit të Presidentit të jetë marrë në mungesë të kompetencës për të shqyrtuar pavlefshmërinë e mandatit për një kandidat. Baza ligjore e përdorur nga KQZ është ligji për dekriminalizimin, ndërkohë që ligji për dekriminalzimin bën fjalë për ngjarje dhe situata juridike që do duhet të kenë ndodhur para kandidimit dhe kandidati për bashkinë e Himarës ose si ka bërë të ditura, ose ka qenë në kushtet e ndalimit. Vendimmarrja është e pavlefshme. Akti që ka iniciuar këtë proces është i pavlefshëm. Pavarësisht kësaj, edhe në hipotezën se ky akt do vlerësohet nga gjykatat, në pikën 3 të këtij akti ne kemi të parashikuar që mund të bëhen ankim në KAS. Po ditën që është marrë vendimi i KQZ, kemi një vendimmarrje me një shpejtësi të rrufeshme gjithë institucionet kanë caktuar datën, që ishte e paracaktuar, datën 4 gushte për zhvillimin e zgjedhjeve në Himarë. Akti është i pavlefshëm dhe gjithë pasojat nuk qëndrojnë. Nuk është respektuar afti 30 ditor. Duhet të presim vendimin e Gjykatës para se të miratojmë këtë akt.
Përfaqësuesi i PS në KQZ, Eridian Salianji u shpreh se Komisioni Rregullator po tejkalon kompetencat duke gjykuar një vendim të KQZ për heqjen e mandatit dhe dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve, duke thënë se janë në kufijtë e shpërdorimit të detyrës.
Salianji: Me atë çka ne gjykojmë, që ka të bëjë me llogaritjen e afateve, jeni jashtë objektit dhe kompetencës që të gjykohet një vendim i komsionerit, jemi në tejkalim të kompetencave. Po diskutojmë afatet, të drejtën e këtij komisioni për të rregulluar organizmin e zgjedhjeve, ku organ s’ka punë fare me diskutim për ligjin e dekriminalizimit. Diskutohet dekreti i Presidentit, atë e bën gjykata. Nuk pengohen zgjedhjet, kjo që miratoni ju është kalendar, zgjedhjet i bën kodi zgjedhor, kjo është që ju të ndihmoni procesin, doni ta pengoni, pengojeni por nuk është kjo rruga. Po shkelni ligjit, mund të diskutoni vetëm afatet, por mund të merrni një vendimmarrje që s’ka lidhje me ju ta hidhni në tavolinë. Tentoni të merrni kompetencat e institucioneve të tjera. S’mund të pengoni procesin zgjedhor jashtë kompetencave.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co